Ish-presidenti amerikan, Joe Biden ka njoftuar se do të publikojë librin e tij me kujtime, të titulluar “Promise Me, America”, më 17 nëntor 2026, vetëm pak javë pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Koha e zgjedhur për botimin ka nxitur komente se mund të krijojë parehati brenda Partisë Demokratike, pasi vëmendja pritet të jetë ende e përqendruar te rezultatet zgjedhore.
Në një videomesazh, Biden tha se libri do të përshkruajë sfidat me të cilat u përball SHBA gjatë presidencës së tij, vendimet më të rëndësishme që mori dhe arsyet pas tyre.
– YouTube www.youtube.com
Ai premton një rrëfim personal mbi periudhën në Shtëpinë e Bardhë dhe ngjarjet që formësuan administratën e tij.
Memoaret do të trajtojnë edhe vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara presidenciale e vitit 2024, një nga momentet më të diskutuara të karrierës së tij politike.
Libri pritet të përfshijë reflektime mbi pandeminë e COVID-19, sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, mbështetjen për Ukrainën dhe çështje të tjera kyçe të mandatit të tij.
Analistët vlerësojnë se publikimi menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit mund të jetë i ndjeshëm politikisht për demokratët, pasi debati mbi trashëgiminë e Bidenit dhe rolin e tij në të ardhmen e partisë mbetet ende i hapur. /Telegrafi/
