Një rast i vjedhjes me dëm të konsiderueshëm është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria në Pejë, pasi një 27-vjeçare ka raportuar se i janë vjedhur 94 mijë franga zvicerane nga valixhja e saj.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se institucionet janë duke punuar intensivisht për të ndriçuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
“Në lidhje me rastin në fjalë, me t’u raportuar rasti janë ndërmarrë disa veprime në koordinim të plotë mes prokurorëve të shtetit dhe hetimeve rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë. Aktualisht jemi duke punuar intensivisht në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit”, ka deklaruar Nikçi. /Telegrafi/
