Anglia ende nuk e ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës, pasi sot (e mërkurë) do të përballet me Argjentinën në gjysmëfinale.
Megjithatë, edhe nëse “Tre Luanët” arrijnë të triumfojnë në Atlanta dhe të sigurojnë biletën për finalen, ata mund të hyjnë në sfidën e madhe me një disavantazh ndaj Spanjës, e cila tashmë e ka siguruar finalen pas fitores ndaj Francës në gjysmëfinalen tjetër.
Sipas analizës së The Athletic, në 13 nga 14 finalet e fundit të Kupës së Botës dhe Kampionateve Evropiane, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, skuadra që kishte luajtur gjysmëfinalen një ditë më herët ishte ajo që në fund shpallej kampione.
I vetmi përjashtim nuk e rrëzon këtë prirje. Në Kampionatin Evropian të femrave të vitit 2017, Holanda mposhti Danimarkën 4-2 në finale, ndërsa të dyja skuadrat kishin luajtur gjysmëfinalet në të njëjtën ditë.
Nëse ky trend vazhdon edhe në Botërorin aktual, atëherë Spanja do të ketë një avantazh fizik dhe rikuperimi ndaj Anglisë ose Argjentinës, pavarësisht se cila skuadër do të dalë fituese nga gjysmëfinalja e dytë.
Finalja e Kupës së Botës mund të vendoset jo vetëm nga cilësia në fushë, por edhe nga minutat shtesë të pushimit që mund të bëjnë diferencën në ndeshjen më të rëndësishme të turneut. /Telegrafi/
