Instituti i Artit Bashkëkohor – ARKIV do të hapë më 18 korrik ekspozitën personale të artistit Burim Berisha, me titull “RESIDUE”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 shtator 2026.
Sipas organizatorëve, ekspozita bazohet në një praktikë artistike të zhvilluar përgjatë më shumë se 25 vjetësh dhe e trajton skulpturën si një proces perceptimi, ku figura nuk paraqitet drejtpërdrejt, por ndërtohet përmes gjurmëve, materialeve dhe marrëdhënieve ndërmjet pranisë dhe mungesës.
Përmes instalacioneve që përfshijnë tingullin, tymin, dheun dhe elemente të tjera, “RESIDUE” sjell një reflektim mbi kujtesën, transformimin dhe atë që mbetet pas një ngjarjeje, personi apo objekti.
Sipas ARKIV-it, koncepti i ekspozitës e trajton mbetjen jo si një element pasiv, por si një gjurmë që vazhdon të prodhojë kuptime të reja dhe të riformulojë raportin ndërmjet objektit, hapësirës dhe perceptimit.
Hapja zyrtare e ekspozitës do të mbahet më 18 korrik, në orën 11:00, në hapësirat e Institutit të Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë.
Burim Berisha, i lindur në Pejë më 1980 dhe me veprimtari në Prishtinë, është artist bashkëkohor dhe ligjërues, praktika artistike e të cilit ndërthur skulpturën, instalacionin dhe ndërhyrjet site-specific.
Punimet e tij fokusohen në perceptimin, hapësirën dhe përvojën sensoriale, duke eksploruar kufirin mes pranisë dhe mungesës përmes materialeve dhe formave të ndryshme artistike. /Telegrafi/
