Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke pranuar se “Les Bleus” nuk ishin në nivelin e duhur për të siguruar një vend në finale.
Ylli i Real Madridit, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të turneut me tetë gola, tha se Franca dështoi si në aspektin taktik ashtu edhe në atë teknik.
“Nuk mendoj se luajtëm ndeshjen që donim të luanim – qoftë taktikisht, teknikisht apo për sa i përket nivelit të përgjithshëm të performancës sonë. Dhe kur nuk bën atë që duhet në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, nuk fiton”, deklaroi Mbappe për M6.
Sulmuesi francez shpjegoi se plani ishte të ushtrohej presion i lartë ndaj Spanjës për të mos e lejuar të kontrollonte ritmin e lojës, por skuadra e tij nuk arriti ta zbatonte këtë ide.
“Qëllimi ynë ishte t’i shtynim lart në fushë për t’i penguar të vendoseshin në atë ritëm të ngadaltë dhe të kontrolluar, sepse kur bëhet fjalë për kontrollin e lojës, ata janë më të mirë se ne. Ne dështuam ta bënim këtë”, u shpreh ai.
Mbappe pranoi se Spanja dominoi edhe betejën në mesfushë, ku Rodri, Dani Olmo dhe Fabian Ruiz krijuan epërsi ndaj Adrien Rabiot dhe Aurelien Tchouamenit.
“Vazhdimisht gjendeshim në situata tre kundër dy në mesfushë. Dhe kundër Spanjës, ky është një problem i madh. Kur i bashkon të gjitha këto, rezultati është humbja. Është një zhgënjim i madh”, shtoi kapiteni francez.
Në fund, 27-vjeçari tha se Franca duhet ta pranojë eliminimin me dinjitet dhe të mësojë nga ky dështim.
“Ishte ëndrra jonë të arrinim në finale dhe t’i jepnim vendit tonë mundësinë të bënte histori. Tani duhet ta përballojmë këtë me kokën lart. Kur fiton, fiton me kokën lart, por edhe kur humbet, duhet të humbasësh me kokën lart. Tani ka një zhgënjim të madh, por duhet ta marrim veten, të shkojmë me pushime dhe të fillojmë një kapitull të ri. Futbolli nuk pret askënd”, përfundoi Mbappe. /Telegrafi/
