Gjysmëfinalja e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës, që zhvillohet të mërkurën në Atlanta, është cilësuar nga FIFA si ndeshja me rrezikun më të lartë të gjithë turneut.
Për këtë arsye, autoritetet amerikane, në bashkëpunim me homologët nga Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë përgatitur operacionin më të madh të sigurisë të Botërorit 2026.
Rivaliteti historik mes dy vendeve, i ushqyer nga Lufta e Ishujve Falkland në vitin 1982 dhe përballjet legjendare në fushën e futbollit – veçanërisht çerekfinalja e Botërorit 1986 me “Dorën e Zotit” të Diego Maradonës – ka bërë që kjo sfidë të konsiderohet me rrezik të lartë për përplasje mes tifozëve.
FBI e përfshirë në planin e sigurisë
Sipas raportimeve të Olé, përgatitjet janë koordinuar në Qendrën Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Policor (IPCC) në Leesburg të Virxhinias.
Në takimin e sigurisë morën pjesë drejtuesit e sektorit të vlerësimit të rrezikut të FIFA-s, përfaqësues të FBI-së, Policisë së Shtetit të Xhorxhias, autoriteteve të sigurisë nga Miami, si dhe delegacione të policisë britanike dhe argjentinase.
Plani përfshin: kontrolle shumë më të rrepta në hyrjet e stadiumit, shtim të ndjeshëm të forcave policore brenda dhe jashtë stadiumit, angazhim të madh të kompanive private të sigurisë dhe vendosjen e mbi 1.600 efektivëve të sigurisë gjatë ndeshjes.
Gjithashtu, tifozët më radikalë të të dyja kombëtareve do të sistemohen në sektorë të ndarë të stadiumit Mercedes-Benz në Atlanta, me hyrje të veçanta për secilin grup.
Megjithatë, organizatorët pranojnë se do të ketë edhe zona të përziera, pasi shumica e biletave ishin shitur përpara se të përcaktohej çifti gjysmëfinalist.
Ndalohen flamujt me mesazhe politike
Autoritetet kanë vendosur rregulla të qarta edhe për simbolet që do të lejohen në stadium. Do të ndalohen flamujt, banderolat, veshjet ose çdo material që përmban gjuhë urrejtjeje, mesazhe politike apo slogane provokuese.
Kjo do të thotë se nuk do të lejohen flamuj apo simbole që lidhen me Ishujt Falkland, një çështje ende shumë e ndjeshme në marrëdhëniet mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe.
33 mijë persona në listën e ndalimit, ambasada apelon për qetësi
Masat nuk kufizohen vetëm në stadium. Autoritetet argjentinase u kanë dorëzuar homologëve amerikanë një listë me rreth 33.000 persona, të cilëve u është ndaluar hyrja në ndeshje për shkak të historikut të tyre me incidente të dhunshme në stadiume.
Ambasada e Argjentinës në Shtetet e Bashkuara u bëri thirrje tifozëve të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e autoriteteve.
“Të mërkurën do të përjetojmë një ditë shumë të veçantë me Kombëtaren Argjentinase. Që kjo të jetë një festë e vërtetë, u kërkojmë të gjithë tifozëve të respektojnë rregulloret e sigurisë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të bashkëpunojnë me stafin e stadiumit”, thuhet në deklaratë.
Scaloni: Është vetëm një ndeshje futbolli
Edhe kampi argjentinas ka bërë thirrje për uljen e tensioneve. Lionel Scaloni u përpoq ta largonte fokusin nga historia dhe politika.
“Le ta bëjmë të qartë që në fillim. Është thjesht një ndeshje futbolli”.
Portieri Emiliano “Dibu” Martínez ndau të njëjtin qëndrim. “Respekti do të jetë gjithmonë aty. Fëmijët e mi kanë lindur në Angli dhe unë kam jetuar atje për 16 vjet. Tani duhet vetëm ta shijojmë këtë ndeshje dhe të përpiqemi ta fitojmë.”
Edhe Rodrigo De Paul theksoi se, megjithëse kujtimi i Luftës së Falklandit mbetet i rëndësishëm për argjentinasit, fusha e futbollit nuk është vendi për debate politike.
“Është një ndeshje futbolli. Këngët që këndohen lidhen me kujtimin e heronjve tanë të Ishujve Falkland, por kjo çështje duhet të diskutohet diku tjetër. Ajo që ndodhi ishte një tragjedi dhe ne nuk e harrojmë. Megjithatë, tani duam vetëm të fitojmë dhe të arrijmë në finalen e Kupës së Botës.” /Telegrafi/
