BDI ka dënuar deklaratën skandaloze të ministres së Qeverisë së Serbisë, e cila publikisht u shpreh se Sllobodan Millosheviqi është dashur të kryente dhe ta përfundonte spastrimin etnik ndaj shqiptarëve, nuk është thjesht një qëndrim individual.
Nga BDI thonë se ajo është shprehje e një ideologjie të rrezikshme që vazhdon të glorifikojë politikat që prodhuan luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Ballkan.
“Pikërisht për këtë arsye, votimi i mbrëmshëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut merr një peshë edhe më të rëndë politike.
Ivan Stoilkoviqi u votua ministër edhe me votat e deputetëve të VLEN-it, ndonëse bëhet fjalë për një politikan të njohur për qëndrimet e tij të hapura proserbe, proruse dhe antishqiptare. Ai prej vitesh promovon politikat e Aleksandar Vuçiqit, mbron narrativat e “Botës Serbe” dhe nuk ka fshehur asnjëherë armiqësinë e tij ndaj interesave të shqiptarëve.
Nuk është rastësi as që ata ndajnë të njëjtën platformë ideologjike, të njëjtat narrativa dhe të njëjtët sponsorë politikë.
Prandaj, VLEN nuk mund të pretendojë se nuk e dinte kë po votonte. Me votën e tyre, ata i dhanë legjitimitet institucional një eksponenti të politikës së “Botës Serbe” brenda Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se edhe Raporti i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut evidentoi qartë rrezikun nga ndikimi i “Botës Serbe”, si dhe rritjen edhe të ndikimit malinj rus dhe kinez në rajon. Në vend që këto paralajmërime të merren seriozisht, shumica qeverisëse vendosi ta fuqizojë pikërisht një nga promotorët më të zëshëm të këtyre politikave.
BDI dënon pa rezervë çdo deklaratë që justifikon ose promovon spastrimin etnik dhe kërkon distancim të qartë nga çdo ideologji që rehabiliton regjimin e Millosheviqit.
Po aq, kërkojmë që VLEN të shpjegojë para qytetarëve shqiptarë se si mund të pretendojë se mbron interesat e tyre, ndërkohë që voton për ministër një politikan i cili prej vitesh është simbol i propagandës antishqiptare, proserbe dhe proruse.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që legjitimojnë eksponentët e “Botës Serbe”, por për përfaqësues që mbrojnë dinjitetin, historinë dhe orientimin euroatlantik të vendit”, thonë nga BDI./Telegrafi/
