Gjykata Themelore Penale në Shkup e liroi nga akuzat ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për rastin “Talir 2”, që kishte të bënte me tejkalim të kompetencave zyrtare dhe financim të kundërligjshëm të ndërtimit të selisë partiake të OBRM-PDUKM-së.
Gjyqtarja Daniela Aleksovska, gjatë shpalljes së aktgjykimit, deklaroi se për këtë rast duhet të merren parasysh ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, si dhe ndryshimi i aktakuzës që pasoi.
“Edhe pse pati ndryshime në aktakuzë, nuk pati ndryshime në provat dhe faktet e paraqitura para gjykatës. Gjykata vlerëson se Prokuroria nuk e dëshmoi përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari Nikolla Gruevski ka kryer tejkalim të detyrës zyrtare”, tha Aleksovska.
Ajo theksoi se Gjykata në tërësi ka pranuar qëndrimin e Gjykatës së Apelit, sipas të cilit ndryshimet në Kodin Penal janë në favor të drejtpërdrejtë të të akuzuarit.
Sipas saj, vendimi lirues është rezultat i ndryshimeve të Kodit Penal të miratuara në vitin 2023, të cilat çuan edhe në shfuqizimin e aktgjykimit të parë në këtë rast.
“Edhe pse ky aktgjykim është ndryshe nga ai i mëparshmi, analiza dhe vlerësimi i provave, fakteve të përcaktuara dhe përfundimeve të gjykatës kanë mbetur të pandryshuara. Me të njëjtat prova, mbi bazën e të cilave më parë u konstatua se vepra ishte kryer me keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, gjykata tani vlerëson se nuk u dëshmua përtej dyshimit të arsyeshëm se vepra është kryer përmes tejkalimit të kompetencave apo moskryerjes së detyrës zyrtare”, deklaroi Aleksovska.
Ajo shtoi se gjykata mbetet konsistente në analizën dhe vlerësimin e provave, duke i bazuar vendimet vetëm në faktet e konstatuara.
Në shpalljen e aktgjykimit në Gjykatën Penale të Shkupit ishin të pranishëm avokatët e caktuar sipas detyrës për Gruevskin, Petar Timovski, dhe për OBRM-PDUKM-në, Kristina Manevska, si dhe përfaqësuesja e partisë, avokatja Lubica Nikollovska.
Shpenzimet e procedurës gjyqësore do të mbulohen nga Buxheti i shtetit, ndërsa gjykata refuzoi edhe propozimin e Prokurorisë për konfiskimin e selisë së OBRM-PDUKM-së.
Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese në gjykatat më të larta.
Në prill të këtij viti, lëndën “Talir 2” e mori prokurori Kristian Smilevski nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, pas dorëheqjes së prokurores Lençe Ristovska.
Gjykata e Apelit në Shkup në janar të vitit 2024 e anuloi aktgjykimin e parë për rastin “Talir 2”, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal lidhur me nenin 353, dhe e ktheu lëndën për rigjykim në shkallën e parë.
Ndërkohë, vepra për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” për ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Kiril Bozhinovski, u vjetërsua, ndërsa procedura vazhdoi ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe partisë OBRM-PDUKM.
Më 7 qershor 2022, Gjykata Penale në Shkup shpalli aktgjykimin e parë, sipas të cilit Gruevski, i cili ndodhet jashtë vendit, u dënua jo përfundimisht me gjashtë vite burg, ndërsa Kiril Bozhinovski mori dënim me kusht.
