Një 25-vjeçar është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në një banesë në Mitrovicën e Jugut.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti.
“Sot, rreth orës 08:20, Policia ka pranuar informatën se në një banesë në Mitrovicën e Jugut është gjetur pa shenja jete një mashkull, 25-vjeçar. Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës”, tha Zahiti për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se, me urdhër të prokurorit, pas përfundimit të veprimeve të nevojshme hetimore, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit. /Telegrafi/
