Nënkryetari i PDK-së dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka mbajtur një takim me fermerë, ku ka shpalosur programin garues të Partisë Demokratike të Kosovës, me theks te ulja e kostos së jetesës.
Ismaili theksoi se qytetarët dhe fermerët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, ndërsa presionet ekonomike pritet të rriten edhe më shumë në vitet e ardhshme, përfshirë inflacionin, faturat e energjisë elektrike dhe tatimin në pronë.
Ai tha se kjo gjendje kërkon ndryshim të menjëhershëm dhe masa konkrete, duke theksuar se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza është ndërtuar pikërisht për t’i trajtuar këto problem në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Në programin tonë parashihen masa të qarta për uljen e kostos së jetesës. Do ta heqim TVSH-në nga energjia elektrike dhe nga produktet esenciale, në mënyrë që qytetarët dhe fermerët të kenë lehtësim real ekonomik,” ka theksuar Ismaili.
Ai shtoi se Bedri Hamza është një kandidat për kryeministër që përfaqëson të gjithë qytetarët pa dallim dhe se bëhet fjalë për një ekonomist të dëshmuar, i cili synon ta bashkojë shoqërinë dhe të punojë për mirëqenie të qëndrueshme.
“Me 28 dhjetor, qytetarët kanë një mundësi reale për ndryshim. Programi ynë nuk është premtim bosh, por plan konkret për ta ulur koston e jetës dhe për ta përmirësuar mirëqenien e çdo familjeje,” ka shkruar Ismaili.