Legjenda e futbollit gjerman, Bastian Schweinsteiger, ka bërë një parashikim që ka tërhequr vëmendjen para çerekfinales së Kupës së Botës mes Zvicrës dhe Argjentinës.
Ish-mesfushori i Gjermanisë, i cili fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, beson se kombëtarja helvetike ka gjithçka që i nevojitet për ta eliminuar kampionen në fuqi, madje ka parashikuar një fitore 2-1 për Zvicrën.
Sipas 41-vjeçarit, suksesi i Zvicrës nuk bazohet vetëm te cilësia individuale e futbollistëve, por mbi të gjitha te harmonia, organizimi dhe fryma kolektive që skuadra ka ndërtuar ndër vite.
“Ndoshta për disa mund të jetë befasi, por unë besoj se Zvicra do të fitojë 2:1. Ka shumë pak skuadra që kanë një harmoni të tillë”.
“Sa herë që zbresin në fushë, duken si një ekip i vetëm. Zvicra po bën një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë Schweinsteiger.
Këto deklarata të Schweinsteigerit janë publikuar nga mediumi zviceran Blick dhe vijnë vetëm pak orë para një prej përballjeve më interesante të çerekfinaleve.
Argjentina hyn në këtë takim si kampione në fuqi e botës dhe një nga favoritët kryesorë për ta mbrojtur trofeun, por Zvicra ka lënë përshtypje shumë pozitive gjatë këtij edicioni dhe synon të shkaktojë një tjetër surprizë të madhe./Telegrafi/
