Zvicra në çerekfinale – kjo është më shumë se lojë. Një ese mbi artin e futbollit, triumfin në fushë dhe zhurmën jashtë saj; mbi një ëndërr që duhej të fillonte në Suedi, por u kurorëzua në Basel të Zvicrës; dhe mbi një koftor, rreth të cilit një djalë i vogël vraponte për t’u ngrohur.
1.
Ishte rastësi që Granit Xhaka u lind në Basel të Zvicrës. Prindërit e tij e kishin ndërmend të emigronin në Suedi. U ndalën për disa ditë te të afërmit e tyre në Basel, në këtë metropol të Zvicrës veriore. Dhe mbetën përgjithmonë në këtë pjesë të Zvicrës. Kur u lind Xhaka, Xherdan Shaqiri gati kishte mbushur një vit. I lindur në Gjilan, edhe Xherdani, si mijëra fëmijë të Kosovës, në fillim të viteve 1990 erdhi në Zvicër, afër Baselit, aty ku babai i tij punonte si argat. Në të vërtetë nuk erdhi vetëm, por pjesa tjetër e familjes iu bashkua babait në Zvicër. Jetonin në një banesë të vogël, pa ngrohje qendrore; kishte vetëm një koftor. Në një intervistë Xherdani ka treguar se, meqë në banesë shpesh ishte ftohtë, ai vraponte andej-këndej nëpër dhoma për t’u ngrohur. Nga këtu, me gjasë, dëshira e tij për të luajtur futboll, krahas përkrahjes nga babai, i cili po ashtu ishte më shumë se entuziast i futbollit.
2.
Nesër në mëngjes, në orën 03:00, Zvicra do të luajë kundër Argjentinës në çerekfinalen e Kampionatit Botëror të Futbollit. Këtë sukses Zvicra e ka pritur 72 vjet – për herë të fundit në çerekfinale është kualifikuar më 1954. Bota ishte krejt ndryshe atëherë, edhe futbolli; ndeshjet transmetoheshin në radio, rrallëkush kishte televizor. Gjermania u bë kampione në Bern (mposhti Hungarinë) dhe kjo fitore i dha aq vullnet shoqërisë gjermane, saqë pastaj filloi edhe mrekullia ekonomike gjermane. Një dekadë më herët Gjermania ishte nën rrënojat e krimeve e shkatërrimeve të shkaktuara nga nazizmi. Gratë në Zvicër nuk kishin të drejtë vote (më 1954). As nuk mund të kandidonin për poste politike. Suksesi historik i Zvicrës në vitin 2026 ka të bëjë edhe me kontributin e madh të sportistëve me origjinë nga viset shqiptare, futbollistë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e shumë të tjerë.
3.
Prania e futbollistëve me origjinë shqiptare në kombëtaren e Zvicrës nuk ka kaluar përherë pa tensione. Fansat shqiptarë ua kanë zënë për të madhe që nuk vendosën të luajnë për Kosovën, ndonëse kur Xhaka e Shaqiri filluan karrierën si profesionistë, Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Ka fansa të tjerë që thonë se ata do të kishin mundur të vendosnin të luanin për Shqipërinë. Këto janë akuza të padrejta. Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët që janë rritur dhe përgatitur si futbollistë në Zvicër janë jo vetëm shtetas zviceranë, por edhe shembuj pozitivë të integrimit në shoqërinë e re, e cila është atdheu i tyre. Ndonjë gjaknxehti ndër shqiptarë kjo mund të mos i pëlqejë, por nuk je më pak (mbase as më shumë) patriot nëse luan për Zvicrën. Vetë Xhaka e tha këto ditë: “Është privilegj që pata mundësinë ta vesh këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend (Zvicra), në të cilin kam lindur dhe jam rritur, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos mbetet ndeshja ime e fundit”.
4.
Keqkuptime, mosdurim e tensione ka pasur edhe nga ana e disa qarqeve konservatore në Zvicër. Disa nuk mund të pajtohen që shoqëria ka ndryshuar, është bërë më diverse dhe jo të gjithë lojtarët mund të kenë mbiemrat Meier dhe Müller. Shumë futbollistë me origjinë jovendore kanë kaluar nëpër përvoja shpesh të pakëndshme. Romelu Lukaku i Belgjikës ka thënë se kur luante mirë, lavdërohej si sulmues belg. Kur ndeshjet nuk përfundonin me rezultat të mirë, ai ishte një sulmues belg me origjinë kongoleze. Karim Benzema ka thënë: “Nëse shënoj, jam francez. Nëse nuk shënoj, jam arab”. Mesut Özil ka lënë këtë fjali: “Jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbasim”. (Özil përfundoi në prehrin e presidentit autokratik turk, nuk ishte vendimi më i mirë i jetës së tij).
Kur më 2018 Zvicra e mposhti Serbinë në Kaliningrad me golat e Xhakës dhe Shaqirit, dy lojtarët me origjinë nga Kosova, të përkrahur edhe nga futbollistë të tjerë, imituan me gishta shqiponjën dykrenare. Mediat propagandistike serbe humbën kontrollin duke gënjyer se bëhej fjalë për një gjest nacionalist. Për fat të keq, këtë përrallë e besuan edhe disa media zvicerane. Por kishte dhe ka gazetarë seriozë zviceranë që nuk ranë në kurthin e ngritur nga zhurmaxhinjtë nga Beogradi. Megjithatë, një pakicë publicistësh zviceranë e sulmon vazhdimisht Xhakën, sepse u pengon “mentaliteti” i tij kryengritës dhe ajo “afera me shqiponjë”. Nuk është rastësi që ata publicistë zviceranë që e sulmojnë Xhakën janë edhe mbështetësit më të mëdhenj të Vladimir Putinit, Aleksandar Vuçiqit dhe kundërshtarët më agresivë të pavarësisë së Kosovës. Përkundër këtyre zërave, Granit Xhaka vazhdon të jetë futbollisti më i mirë në historinë e Zvicrës. Një shqiptar i helvetizuar (domethënë i integruar), që në çdo betejë futet i pamëshirshëm dhe i etur për sukses. Nuk kursen asgjë për kombëtaren e Zvicrës. Sonte, kur nata do të bëhet ditë, kundër Argjentinës nuk luan vetëm Zvicra, por edhe një pjesë e historisë së Kosovës.
5.
41 për qind e njerëzve që jetojnë në Zvicër kanë prejardhje të huaj. “Në kantonin e Zürichut kjo shifër është 47 për qind, ndërsa në Gjenevë arrin deri në 66 për qind”, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. A mund ta bashkojë edhe më shumë shoqërinë zvicerane suksesi i kombëtares së Zvicrës? “Tages Anzeiger” e ka pyetur Artan Islamajn. Ai është bashkëdrejtor i Institutit “Zvicra e Re” (Institut Neue Schweiz), i cili angazhohet për një Zvicër të larmishme. Ai e sheh atmosferën aktuale në Zvicër si mjaft të bukur, por shton gjithashtu: “Pranimi i zviceranëve me prejardhje migrimi në Zvicër vazhdon të jetë ende i varur nga suksesi. Pjesë e shoqërisë bëhesh vetëm nëse sjell rezultate”.
Por momentalisht është duke mbizotëruar vetëm gëzimi dhe entuziazmi. Shumë qytete u kanë lejuar restoranteve të punojnë gjithë natën. Pak njerëz do të flenë sonte në Zvicër. Nuk ka ndarje mes Zvicrës franceze dhe asaj gjermane, mes botës urbane dhe fshatarëve apo mes emigrantëve dhe zviceranëve. Humoristi nga Zvicra frankofone, Charles Nouveau, i tha “Tages Anzeiger”: “E vetmja ndarje që ekziston ende në vend, është ajo midis atyre që zgjohen për ndeshjen dhe atyre që nuk shkojnë fare për të fjetur”. Kur zviceranët bëjnë humor në llogari të tyre, ata citojnë shkrimtarin Friedrich Dürrenmatt, i cili ka thënë: “Është bukur të lindësh zviceran; është bukur të vdesësh zviceran. Por çfarë bën ndërkohë? Përgjigjja ime është në mënyrën zvicerane. Këtë ndërkohë e kaloj me punë”. Po të ishte gjallë, Dürrenmatt do ta ndërronte mendimin, do të vishte një dres të Zvicrës dhe do të valëviste një shall me kryq të kuq (ky ishte një test, sepse kryqi i flamurit të Zvicrës është i bardhë). Dürrenmatt ishte adhurues i madh i futbollit, sidomos i ekipit Neuchâtel Xamax dhe i ndiqte ndeshjet nga tribuna me teleskop. Për të, futbolli ishte më shumë se sport: ai e shihte si një formë teatri, me fushën si skenë dhe lojtarët si aktorë.
6.
Aktorët kundërshtarë të Zvicrës sonte (apo nesër?) janë argjentinasit. Qe një shembull sa i përket aktrimit latinoamerikan. 22 qershor 1986, stadiumi i futbollit në qytetin e Meksikos. Në çerekfinale luan Argjentina kundër Anglisë. Katër vite më parë Argjentina kishte humbur luftën për ishujt Malvinas ose Falkland kundër Britanisë së Madhe. Skena në minutën e 51-të të ndeshjes ka hyrë në historinë e botës; ka edhe një shënim në Wikipedia mbi “Dorën e Zotit”: Diego Maradona bëhet sikur po godet topin me kokë dhe shënon gol me dorë. Dhe goli u pranua. Por katër minuta më vonë Maradona dëshmoi gjenialitetin e tij. Rrëmbeu topin dhe filloi një sllallom prej 60 metrash, thua se ishte slloveni Bojan Krizhaj. Në librin gazmor “Gebrauchsanweisung für Argentinien” (Doracak për Argjentinën), gazetari gjerman Christian Thiele e ka dokumentuar komentin e gazetarit sportiv argjentinas Víctor Hugo Morales kur Maradona shënoi golin e dytë: “Tani ai mund të pasonte te Burruchaga, jo, përsëri Maradona, gjenial! gjenial! gjenial! ta-ta-ta-ta-ta-ta-ta… dhe gooooool… goooool… Dua të qaj! Zot i shenjtë! Rroftë futbolli! GOL I JASHTËZAKONSHËM! Diego! Maradona! Më vjen për të qarë, më falni. Maradona, në një vrapim të pabesueshëm, në aksionin më të mirë të të gjitha kohërave! Ti dragua kozmik, nga cili planet ke ardhur te ne?”
Por viti 1986 është shumë i largët. Tani jemi në vitin 2026. A është Lionel Messi dragoi kozmik i Argjentinës, pasardhës i denjë i Maradonës? E sigurt është një gjë: çdo dragua mund të dështojë nën kthetrat e shqiponjës. Le të lavdërohen sa të duan argjentinasit se hanë më së shumti mish për banor, se kanë ujëvarat më të mëdha, akullnajën më të madhe, malin më të lartë jashtë Azisë në botë (Aconcagua, 6960 metra), rrugën më të gjerë në botë (Avenida 9 de Julio), rrugën më të gjatë në botë (Avenida Rivadavia).
Zvicra e ka Xhakën. I ka edhe disa përparësi të tjera. Por edhe ky shkrim duhet të ketë një fund. Ftohni birrat. “Hopp Schwiiz”./Telegrafi/
