Sëmundjet degjenerative, ato metabolike, sëmundjet e sistemit nervor, problemet kardiovaskulare dhe tumoret janë ndër diagnozat që radiologët hasin më shpesh gjatë ekzaminimeve të përditshme. Kështu u shpreh radiologu Ilir Ahmetxhekaj, duke theksuar se zhvillimi i teknologjisë ka rritur ndjeshëm mundësinë për zbulimin e hershëm të këtyre patologjive.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetuar nga United Hospital, Ahmetxhekaj tha se spektri i sëmundjeve që diagnostikohen në radiologji është shumë i gjerë.
“Diagnozat më të shpeshta që hasim janë sëmundjet degjenerative, sëmundjet metabolike, ato cerebrovaskulare, kardiovaskulare, infeksionet, inflamacionet, si dhe tumoret beninje dhe malinje”, deklaroi ai.
Radiologu shpjegoi se sëmundjet degjenerative nuk prekin vetëm nyjat apo shtyllën kurrizore, por mund të shfaqen edhe në sistemin nervor dhe organe të tjera të trupit.
“Kur flasim për sëmundje degjenerative, nuk kemi parasysh vetëm sistemin osteomuskular, por edhe sistemin nervor dhe ndryshime të tjera që lidhen me procesin e plakjes ose me faktorë të stilit të jetesës”, tha Ahmetxhekaj.
Ai theksoi se diagnostikimi në kohë është vendimtar për suksesin e trajtimit, pasi shumë nga këto sëmundje mund të zbulohen në faza të hershme, madje edhe para shfaqjes së simptomave.
“Radiologjia moderne na mundëson t’i identifikojmë shumë sëmundje herët, kur ende ekziston mundësia për trajtim efektiv dhe parandalimin e komplikimeve”, tha Ahmetxhekaj.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com
