Derisa transferimi të marrë një epilog përfundimtar, e ardhmja e Dayot Upamecano do të vazhdojë të jetë një temë e nxehtë në mediat e futbollit.
Edhe një herë, një zyrtar i lartë i Bayern Munich ka komentuar situatën aktuale të mbrojtësit francez.
Sipas raportimeve në mediat gjermane, Upamecano ka paraqitur kërkesa të qarta për rinovimin e kontratës së tij, e cila është drejt skadimit: një pagë deri në 18 milionë euro bruto në sezon, një bonus nënshkrimi mbi 20 milionë euro dhe një klauzolë lirimi prej 65 milionë eurosh, e cila do të hynte në fuqi që në vitin e parë të kontratës së re.
Bayern është i gatshëm të përmbushë të paktën dy kërkesat e para, ndërsa pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet klauzola e largimit.
Për të përshpejtuar negociatat, në lidhje me këtë çështje ka folur edhe drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen. Në një intervistë për Abendzeitung, ai konfirmoi dëshirën e Bayernit për ta mbajtur Upamecanon në “Allianz Arena”.
“Është e njohur që ne duam t’ia zgjasim kontratën Upamecano-s dhe besoj se nuk kemi asgjë për të cilën duhet të turpërohemi sa i përket ofertës që i kemi bërë”, u shpreh Dreesen.
Ai theksoi gjithashtu se oferta reflekton paraqitjet e shkëlqyera të mbrojtësit këtë sezon. “Kjo pasqyron performancat e jashtëzakonshme që Upa ka treguar. Në vendime të tilla luajnë rol edhe faktorë të tjerë, jo vetëm aspekti financiar. Nuk duhet të bëhet fjalë për kursimin e çdo euroje të fundit”, shtoi ai.
Dreesen mbetet optimist se Bayern do të arrijë marrëveshje me lojtarin, duke ia lënë procesin drejtuesve sportivë të klubit. /Telegrafi/