Banorët e rrugës “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë kanë shprehur shqetësim për mosgrumbullimin e mbeturinave prej disa ditësh, duke thënë se situata po krijon probleme për mjedisin dhe shëndetin publik.
Sipas raportimeve të qytetarëve, mbeturinat janë grumbulluar jashtë pikës së caktuar për deponim, ndërsa temperaturat e larta kanë përkeqësuar gjendjen në këtë zonë.
Faqja lokale “Zëri i Fushë Kosovës”, e cila ka publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, ka bërë të ditur se banorët po kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
“Sipas raportimeve të qytetarëve, mbeturinat janë grumbulluar jashtë pikës së grumbullimit, duke krijuar ndotje, erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin publik, veçanërisht gjatë temperaturave të larta. Banorët u bëjnë thirrje ndërmarrjes përgjegjëse dhe institucioneve komunale që të ndërhyjnë sa më shpejt për largimin e mbeturinave dhe normalizimin e shërbimit”, thuhet në postimin e publikuar nga kjo faqe.
Banorët kërkojnë që ndërmarrja përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave dhe autoritetet komunale të marrin masa sa më parë për largimin e mbeturinave dhe rikthimin e shërbimit të rregullt të grumbullimit. /Telegrafi/
