Rezonanca magnetike është një nga metodat më të avancuara diagnostikuese në mjekësinë moderne, por shumë pacientë ende kanë dilema se sa shpesh mund t’i nënshtrohen këtij ekzaminimi dhe nëse ai është i nevojshëm si kontroll rutinë.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, radiologu Ilir Ahmetxhekaj sqaroi se, ndryshe nga ekzaminimet që përdorin rrezatim jonizues, rezonanca magnetike nuk ka një kufizim të caktuar kohor për t’u përsëritur.
“Pyetja nuk është sa herë lejohet të bëhet rezonanca magnetike, por sa herë ka nevojë pacienti ta bëjë atë. Nëse ekziston indikacioni mjekësor, ajo mund të përsëritet sa herë që është e nevojshme”, tha Ahmetxhekaj.
Ai theksoi se rezonanca magnetike nuk përdor rrezatim jonizues, çka e bën një metodë të sigurt për pacientët edhe kur ekzaminimi duhet të përsëritet gjatë ndjekjes së një sëmundjeje.
Megjithatë, radiologu apeloi që pacientët të mos kërkojnë vetë kryerjen e rezonancës magnetike pa një vlerësim paraprak nga mjeku.
“Edhe tomografia e kompjuterizuar, edhe rezonanca magnetike nuk janë ekzaminime që pacienti duhet t’i kërkojë vetë. Ato duhet të kryhen vetëm kur ekziston një indikacion i qartë mjekësor”, u shpreh ai.
Ahmetxhekaj foli edhe për trendin në rritje të kërkesave për rezonancën magnetike të të gjithë trupit, e cila në shumë raste promovohet si një kontroll preventiv.
Sipas tij, kjo metodë nuk duhet të paraqitet si një zgjidhje universale apo si një produkt marketingu.
“Po shtohen kërkesat për rezonancën magnetike të tërë trupit, por nuk duhet ta plasojmë këtë ekzaminim si një produkt marketing. Është një metodë shumë e avancuar, por ka kufijtë e saj”, tha radiologu.
Ai sqaroi se një rezonancë magnetike e të gjithë trupit nuk garanton zbulimin e çdo sëmundjeje dhe nuk zëvendëson ekzaminimet specifike të skriningut.
“Nuk është garanci që do të zbulojë çdo sëmundje. Nuk i zëvendëson ekzaminimet specifike, si skriningu i gjirit, kolonoskopia apo kontrollet e tjera të rekomanduara sipas moshës dhe faktorëve të rrezikut”, theksoi Ahmetxhekaj.
Megjithatë, ai vlerësoi se kjo metodë mund të ketë rol të rëndësishëm në zbulimin e hershëm të disa patologjive.
“Rezonanca e tërë trupit mund të zbulojë shumë sëmundje në faza shumë të hershme, kur ato ende nuk kanë dhënë simptoma. Kjo krijon mundësinë që trajtimi të nisë në kohë dhe të parandalohet përparimi i sëmundjes”, deklaroi radiologu.
Në fund, Ahmetxhekaj përsëriti se vendimi për kryerjen e rezonancës magnetike duhet të merret gjithmonë në bashkëpunim me mjekun, i cili vlerëson simptomat, historinë shëndetësore dhe ekzaminimet e nevojshme për secilin pacient.
“Teknologjia është një ndihmë e jashtëzakonshme, por ajo duhet të përdoret në mënyrë të drejtë dhe kur ka nevojë reale klinike. Vetëm kështu pacienti përfiton maksimalisht nga diagnostikimi modern”, përfundoi ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com
