Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë të gjatë gjysmëautomatike dhe sasi të konsiderueshme municioni gjatë një operacioni të zhvilluar të enjten në fshatin Lucka Reka të komunës së Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni u realizua pas informacioneve të siguruara nga qytetarët, të cilët njoftuan se në një shtëpi të pabanuar mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Gjatë kontrollit në lokacion, policia gjeti dhe sekuestroi një armë të gjatë gjysmëautomatike, 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 123 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 15 fishekë të pushkës së gjuetisë, 11 fishekë të pushkës së gjatë, tre fishekë manovrues, 18 fishekë të armës së shkurt, dy fishekë të armës së gjatë, gjashtë gëzhoja të llojeve të ndryshme, si dhe një bajonetë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia bëri të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Në fund, Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo informacion që ndihmon në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të paligjshme. /Telegrafi/
