Botërori 2026 ka dhuruar spektakël të pandërprerë në Amerikën e Veriut, por këtë të mërkurë (8 korrik) tifozët nuk do të kenë asnjë ndeshje për të ndjekur.
Pas përfundimit të fazës së 1/8 së finales, FIFA ka paraparë ditën e parë zyrtare të pushimit në turne, për t’u dhënë skuadrave të kualifikuara kohë për rikuperim para nisjes së çerekfinaleve.
Nga 48 kombëtare që e nisën garën, tashmë kanë mbetur vetëm tetë, të cilat do të luftojnë për një vend në gjysmëfinale dhe më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet në ‘MetLife Stadium’.
Vendimi për të ndalur garën për një ditë lidhet me ngarkesën e madhe fizike të lojtarëve, sidomos në formatin e ri të zgjeruar të Botërorit, ku ekipet që arrijnë deri në fund zhvillojnë tetë ndeshje.
Po ashtu, distancat e gjata mes qyteteve organizatore në SHBA, Kanada dhe Meksikë, si dhe temperaturat e larta, kanë bërë të domosdoshëm këtë pushim.
Megjithatë, spektakli rikthehet menjëherë të enjten, kur nisin çerekfinalet.
Programi hapet me përballjen mes Francës dhe Marokut, një duel që rikthen në kujtesë gjysmëfinalen e Botërorit 2022. Ndeshja do të zhvillohet në ‘Boston Stadium’.
Të premten, vëmendja do të jetë te supersfida mes Spanjës dhe Belgjikës. Spanja siguroi kualifikimin pasi eliminoi Portugalinë e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, ndërsa Belgjika befasoi duke mposhtur 4-1 bashkëorganizatorin SHBA-në.
Dy çerekfinalet e fundit do të zhvillohen të shtunën. Anglia do të përballet me Norvegjinë në ‘Miami Stadium’, ndërsa kampionia në fuqi, Argentina, e udhëhequr nga Lionel Messi, do të sfidojë Zvicrën, e cila siguroi kualifikimin pas triumfit ndaj Kolumbisë me penallti.
Botërori hyn kështu në fazën vendimtare, ku tetë kombëtaret më të mira do të luftojnë për katër biletat që çojnë në gjysmëfinale./Telegrafi/
