Gary Neville nuk i kurseu kritikat me humor ndaj dy mbrojtësve të Argjentinës, Lisandro Martinez dhe Cristian Romero, pas fitores dramatike 3-2 ndaj Egjiptit që i siguroi kampionëve në fuqi një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës.
Ish-mbrojtësi anglez, duke komentuar për ITV Sport, i përshkroi dyshen argjentinase si “mbrojtësit qendrorë më të mirë nga më të këqijtë në botë”, duke iu referuar stilit të tyre agresiv dhe rrezikut që marrin në lojë.
“Kur i shikon Romero dhe Martinez, ata janë mbrojtësit qendrorë më të mirë nga më të këqijtë në botë. Ata të japin vazhdimisht mundësi për të pësuar gola”.
“Por nuk u intereson shumë, sepse në anën tjetër ata mund të shënojnë. Kanë personalitete të mëdha dhe vazhdojnë të luftojnë gjithmonë”, deklaroi Neville.
Argjentina përjetoi një përmbysje të jashtëzakonshme ndaj Egjiptit, pasi u gjend në disavantazh prej dy golash.
Cristian Romero ngushtoi diferencën në minutën e 79-të, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Lionel Messi barazoi rezultatin.
Në kohën shtesë, Enzo Fernandez shënoi golin e fitores, duke kompletuar rikthimin spektakolar.
Nga ana tjetër, Martinez zhvilloi një paraqitje të fortë individuale, duke qenë lojtari me më shumë ndërhyrje defensive në fushë.
Ai regjistroi 13 aksione mbrojtëse, përfshirë shtatë largime të topit, katër ndërhyrje dhe dy interceptime.
Mbrojtësi argjentinas është rikthyer këtë sezon në ritmin e tij më të mirë me Manchester United, pas një dëmtimi të rëndë në ligamentin kryqëzor të gjurit (ACL), që e la jashtë për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar. /Telegrafi/
