Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në fillim të takimit, i cili u zhvillua në ditën e certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, gjeneralmajori Ulutaş e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit.
Gjatë takimit, Kurti dhe komandanti i KFOR-it diskutuan për zhvillimet aktuale politike, si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Po ashtu, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
Sipas njoftimit, në takim u shqyrtuan edhe mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi në funksion të sigurisë dhe stabilitetit në vend.
