E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “USA-Kosovo Partnership Award”, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në fjalën e saj, Prattipati ka përshëndetur vendimin e Kosovës për eliminimin e tarifave doganore për mallrat amerikane, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas saj, një hap i tillë do të ndihmonte në garantimin e sigurisë energjetike të vendit dhe do të krijonte kushte më të favorshme për investime të reja amerikane në Kosovë.
Prattipati theksoi se partneriteti ekonomik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës mbetet një element kyç në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e sektorit privat. /Telegrafi/
