Erling Haaland ka qenë një nga yjet më të mëdhenj të Kupës së Botës 2026, duke udhëhequr Norvegjinë deri në çerekfinale me shtatë gola, po aq sa Harry Kane dhe Lionel Messi.
Megjithatë, përveç paraqitjeve të tij në fushë, shumë tifozë kanë vënë re një detaj interesant në fanellën e sulmuesit të Manchester Cityt.
Ndryshe nga paraqitjet me klubin anglez, ku në fanellë mban vetëm mbiemrin “Haaland”, me kombëtaren e Norvegjisë ai ka zgjedhur emrin “Braut Haaland”.
Ky ndryshim nuk është rastësor, por lidhet me rrënjët e familjes së tij.
“Braut” është mbiemri i nënës së tij, Gry Marita Braut, dhe Haaland ka vendosur ta përdorë si një mënyrë për të nderuar familjen nga ana e saj. Emri i plotë ligjor i sulmuesit ka qenë gjithmonë Erling Braut Haaland.
Në Norvegji është e zakonshme që emri i mesëm të përdoret si mbiemër familjar i trashëguar, duke ruajtur kështu lidhjen me familjen e njërit prej prindërve.
Ky është gjithashtu një homazh për nënën e tij, e cila ishte kampione e Norvegjisë në heptatlon gjatë viteve 1990.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që sulmuesi përdor emrin “Braut Haaland”. Në fillim të karrierës së tij ai njihej me këtë emër, përpara se ta thjeshtonte në “Haaland” në nivel klubesh.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ndodhi në vitin 2019, kur u transferua nga Molde te Red Bull Salzburg. Deri atëherë ai përdorte drejtshkrimin “Håland”, por vendosi ta ndryshonte në “Haaland”, duke besuar se kjo do ta bënte emrin e tij më të lehtë për t’u njohur në arenën ndërkombëtare.
“Një hap përpara, gjatë gjithë kohës”, ishte shpjegimi që dha Haaland për atë vendim./Telegrafi/
