Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Brezne është shkaktuar nga defektet e vazhdueshme në gypin transportues të ujësjellësit të ri.
Sipas njoftimit të kompanisë, mirëmbajtja e këtij sistemi nuk është në kompetencë të KRU “Hidroregjioni Jugor”, ndërsa ndërhyrjet për sanimin e defekteve po kryhen nga kompania përgjegjëse.
“Mungesa e ujit në fshatin Brezne është pasojë e defekteve të vazhdueshme të paraqitura në gypin transportues të ujit të ujësjellësit të ri, mirëmbajtja e të cilit nuk është në kompetencë të KRU ‘Hidroregjioni Jugor’”, thuhet në njoftim.
Kompania bën të ditur se, sipas informacioneve që posedon, operatori përgjegjës për mirëmbajtjen e ujësjellësit të ri është duke punuar për eliminimin e defekteve.
“Sipas informacioneve që posedojmë, kompania përgjegjëse për sanimin e defekteve dhe mirëmbajtjen e ujësjellësit të ri është duke punuar në eliminimin e tyre. Menjëherë pas përfundimit të sanimit të defekteve, do të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë për qytetarët”, thuhet më tej në njoftim.
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe durimin, duke kërkuar mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve dhe rikthimin e furnizimit të rregullt me ujë. /Telegrafi/
