Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se projekti për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe fëmijët me nevoja të veçanta do të trajtohet me prioritet nga institucionet.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli-Dalipi njoftoi se për këtë projekt ka zhvilluar një takim me humanistin Halil Kastrati, me të cilin ka diskutuar për hapat drejt realizimit të tij.
“Projekti për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe fëmijët me nevoja të veçanta ishte tema kryesore e takimit të sotëm me z. Halil Kastrati”, ka shkruar ajo.
Sipas ministres në detyrë, institucionet do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të avancuar projektin.
“U zotova se do ta trajtojmë këtë projekt me prioritet, duke ofruar mbështetjen e nevojshme institucionale për t’i hapur rrugë realizimit të tij”, ka theksuar Pacolli-Dalipi.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar kontributin e Halil Kastratit në realizimin e projekteve humanitare.
“Njëherësh, e përgëzova z. Kastrati për angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në realizimin e projekteve humanitare në shërbim të familjeve në nevojë dhe kategorive më të cenueshme të shoqërisë”, ka shkruar ministrja në detyrë. /Telegrafi/
