Tirana po bëhet gati të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.
Koncerti i reperit amerikan Kanye West, i planifikuar për më 11 korrik, ka ngjallur interes të madh brenda dhe jashtë vendit, me një numër të konsiderueshëm biletash të blera.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi pamje nga stadiumi i ndërtuar posaçërisht për këtë event, duke theksuar se interesi ndërkombëtar për koncertin ka qenë më i madh se ai për finalen e Conference League që u zhvillua në Tiranë.
Foto: Facebook/Edi Rama
Sipas tij, kryeqyteti do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të muzikës dhe argëtimit gjatë fundjavës së koncertit.
Eagle Stadium, i ngritur pranë autostradës Tiranë–Durrës, është projektuar për të pritur rreth 60 mijë spektatorë.
Organizatorët presin një pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë si eventin më të madh muzikor të mbajtur ndonjëherë në vend.
Çmimet e biletave variojnë nga 120 euro për hyrjet standarde deri në 339 euro për paketat VIP.
Foto: Facebook/Edi Rama
Koncerti në Tiranë është pjesë e turneut botëror të Kanye West për vitin 2026, një turne që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe është shoqëruar me debate në disa shtete.
Vetëm një muaj më parë, artisti performoi në Stadiumin Olimpik Ataturk në Stamboll, ku organizatorët raportuan pjesëmarrjen e rreth 118 mijë spektatorëve, teksa vetë West deklaroi se ishte vendosur një rekord i ri për numrin e fansave në një koncert stadiumi.
Foto: Facebook/Edi Rama
Organizimin e koncertit në Tiranë e ka marrë përsipër kompania “Streetlife” me seli në Berlin, e njohur për organizimin e koncerteve të artistëve ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj etj. /Telegrafi/
