Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht Kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në aktivitetet për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kampin Bondsteel.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka theksuar se 4 korriku përfaqëson një nga parimet më të rëndësishme të demokracisë, duke e lidhur me vullnetin e popullit si burim të lirisë dhe pushtetit.
Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si aleate të pazëvendësueshme të Kosovës, të cilat kanë qenë pranë vendit në momentet më vendimtare të historisë së tij.
Haxhiu u ka përcjellë urimet më të përzemërta ushtarëve dhe qytetarëve amerikanë për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe aleancën mes dy vendeve.
“Gëzuar 4 korrikun”, ka shkruar ajo në fund të postimit.
