FIFA ka konfirmuar se gjyqtari australian Alireza Faghani do të ndajë drejtësinë në ndeshjen e 1/16-ave të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Meksikës, një vendim që ka ngjallur polemika në opinionin sportiv.
Përballja e shumëpritur mes Anglisë dhe njërit prej vendeve organizatore të turneut është shoqëruar me zhvillime të shumta edhe jashtë fushës.
Fillimisht, FIFA kishte planifikuar ta zhvendoste ndeshjen gjashtë orë më herët për shkak të parashikimeve për reshje të dendura dhe stuhi në Mexico City. Ky vendim shkaktoi reagim të ashpër nga trajneri i Meksikës, Javier Aguirre, i cili argumentoi se skuadra e tij do të kishte gjashtë orë më pak kohë për t’u përgatitur për një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Megjithatë, FIFA ndryshoi sërish qëndrim të shtunën vonë në mbrëmje, duke konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet në orarin e planifikuar fillimisht. Sipas raportimeve, ky vendim erdhi pasi Federata Angleze e Futbollit shprehu shqetësime serioze për tifozët që kishin organizuar udhëtimin drejt Mexico City.
Ndërkohë, FIFA ka bërë të ditur se Alireza Faghani do të jetë gjyqtari kryesor i kësaj sfide që do të zhvillohet në ‘Estadio Azteca’.
48-vjeçari do të gjykojë në Kupën e tij të tretë të Botës, pasi më parë ishte pjesë edhe e turneve të vitit 2014 në Brazil dhe 2018 në Rusi.
Megjithatë, emërimi i tij nuk është pritur pozitivisht nga të gjithë. Faghani u gjend në qendër të kritikave edhe gjatë fazës së grupeve të këtij Botërori, në ndeshjen mes Francës dhe Senegalit.
Në atë takim, Kylian Mbappe realizoi dy gola në fitoren 3-1 të Francës, por shumë analistë besojnë se ai duhej të kishte pasur mundësinë të kompletonte het-trikun nga pika e bardhë.
Sulmuesi francez u rrëzua në zonë pas një ndërhyrjeje të Sadio Mane, por Faghani nuk akordoi penallti në kohë reale. Edhe pas rishikimit të aksionit në monitorin anësor të VAR-it, ai vendosi të mos ndryshonte vendimin, duke dhënë goditje nga porta për Senegalin.
Ky vendim shkaktoi reagime të shumta nga analistë dhe ish-gjyqtarë, të cilët e cilësuan si një gabim të rëndë. Pikërisht për këtë arsye, emërimi i tij për supersfidën mes Anglisë dhe Meksikës po konsiderohet nga shumë si një vendim kontrovers./Telegrafi/
