Shqipëria nuk mund t’i konsiderojë investimet e huaja si kërcënim. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me një grup pensionistësh, pas shpërndarjes së bonusit. Sipas kryeministrit, zhvillimi ekonomik i vendit varet nga aftësia për të tërhequr kapital dhe projekte strategjike.
“Shqipëria nuk mundet t’i konsiderojë investimet e huaja kërcënim për sovranitetin. Patriotizëm nuk është të refuzosh financimet e huaja, por të rrisësh kapacitete ekonomike. Nëse Shqipëria do mjaftohet me turizmin që ka arritur sot, Shqipëria do të bjeri në një tjetër hendek, në atë që kanë rënë vendet që kanë mbetur peng i turizmit masiv”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk duhet të mbështetet vetëm te turizmi masiv, pasi kjo do ta çonte vendin në të njëjtën situatë me shtete që kanë mbetur peng i këtij modeli. Sipas tij, turizmi masiv ka ndihmuar në promovimin e vendit, por sjell edhe kosto për infrastrukturën, menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimet publike.
“Turizmi masiv na ka dhënë një dorë të jashtëzakonshme për të hapur fjalën që ky është një vend ku ja vlen të vish, por turizmi masiv vjen edhe me probleme që fillojnë nga rritja e stresit të sistemit për të mbledhur plehra dhe përpunuar mbetje, te stresi që krijohet në të gjithë infrastrukturën dhe te fakti që e gjithë energjia që vihet në dispozicion për të përballuar këtë fluks, nuk përkthehet në efektivitete të ardhurash. Vijnë shumë njerëz dhe konsumojnë pak, ne na duhen më pak njerëz dhe të lënë më shumë para këtu, por për këtë na duhen struktura mikpritëse të një niveli tjetër”, theksoi ai.
Teksa debatet mbi planin për investimin në Zvërnec vijojnë, Rama i konsideroi resortet turistike të luksit si motor zhvillimi për ekonominë vendase. Ai hodhi poshtë pretendimet se këto investime përfitojnë vetëm turistët e huaj, duke theksuar se ato krijojnë zinxhir ekonomik për fermerët, peshkatarët, transportin dhe prodhuesit vendas.
Sipas tij, një investim prej 4 miliardë eurosh në një ekonomi prej 27 miliardë eurosh është transformues dhe krijon besim për investitorë të tjerë. Kryeministri u ndal edhe te mbrojtja e mjedisit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik duhet të ecë paralelisht me ruajtjen e natyrës.
“Gjithfarë lloj dështakësh që janë sprovuar në arenën publike dhe u duket se dështimi i tyre është për fajin tim, bëjnë teorira dhe i hedhin popullit lloj-lloj aguridhash që këto resorte e luksit janë vetëm për ata që vijën dhe shqiptarët janë jashtë sistemit. Kjo është çmenduri sepse ato nuk janë sisteme të mbyllura sepse gjithë ekonomia rreth e rrotull vihet në lëvizje sepse ato kanë nevojë për të gjithë sistemin e prodhimit, fermerët rreth e rrotull, prodhimet vendase, sistemin e transportit, ata që peshkojnë etj.. Është e provuar ato lloj investimesh sjellin për çdo euro që lihet brenda hoteleve atje, 1.6-2 euro krijohet jashtë. Më shumë se të gjitha këto flet një fakt, Shqipëria ka 27 mld euro ekonomi, vjen një investim 4 mld në një ekonomi 27 mld. Është diçka transformuese dhe këto hapin rrugën për të tjerët. Por nëse ti i vë shqelmin në fut të parit, ti pengon edhe të tjerët. Këto janë çudira shqiptare. Ne duhet të mbrojmë zogjtë dhe të shtojmë zogjtë dhe ta gjejmë rrugën që nga bashkëjetesa mes nevojave tona dhe të zgjove, të krijohet një ekonomi virtuoze dhe kjo është sfida, për këtë po punojmë. Çfarë Shqipërie duam ne? Unë dua një Shqipëri që të jetë një vend me miqësi me Izraelin, vendet Araba dhe me Turqinë edhe me Greqinë edhe me Europën që ne të rritemi të forcohemi, të përfitojmë nga këto miqësi”, deklaroi Rama.
Ndalur te protestat, Rama tha se në një demokraci çdo qytetar ka të drejtë të kundërshtojë vendimet e qeverisë, por pa ushtruar dhunë ndaj institucioneve.
Ai pretendoi se në protestë kishte “shërbëtorë të paguar, mercenarë të ardhur nga Prishtina dhe Tetova që bënin si diasporë”, ndërsa shtoi se qeveria përpiqet të dallojë mes atyre që protestojnë për bindjet e tyre dhe grupeve që, sipas tij, synojnë të krijojnë tensione.
“Në këtë bulevard, me pushkën e shtetit janë vrarë njerëz, sot është gjë shumë e madhe që është bërë Bulevardi i Tiranës si karnavalet e Rio de Janero që e ndjek e gjithë bota. Kjo tregon se ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të ekzistojnë edhe në këtë formë liria dhe pavarësia. Ne po përpiqemi ta lexojmë siç duhet protestën se protesta është edhe ajo që nuk thuhet, kur dalin atje shërbëtorë të paguar, mercenarë të ardhur nga Prishtina dhe Tetova dhe që bëjnë si diasporë, por është edhe ajo që nuk thuhet që nuk ka dalë atje për të bërë rrëmuja dhe këto janë të ndara. Diktaturën dhe demokracinë, kjo i dallon. Në diktaturë, protestuesi është gjithmonë një kërcënim për interesat kombëtare dh enjë armik që shfaqet dhe që duhet goditur, në demokraci prezumohet ndryshe. Qeveria është aty për të marrë vendime, por çdo vendim i qeverisë mund të kontestohet qoftë edhe nga një individ i vetëm dhe ai ka të drejtë ta bëjë pa u cenuar. Pikërisht për këtë, monopolin e forcës e ka shteti jo individi, dhe kush ushtron forcë ndaj shtetit, futet në një tjetër vorbull. Çdo qytetar ka të drejtë të kontestojë një vendim të qeverisë”, u shpreh kreu i qeverisë./RTSH
