Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar segmentin rrugor Prekoc–Marec, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëmtime në trupin e rrugës.
Ai ka bërë të ditur se në terren është inspektuar procesi i sanimit të dëmeve, si dhe ecuria e punimeve në projektin e rehabilitimit të rrugës Prekoc–Marec–Krilevë (R123a), i cili është në realizim e sipër.
“Pas vizitës në Dardani, ndalesa ime e radhës ishte në segmentin rrugor Prekoc – Marec, ku edhe aty reshjet e dendura kishin shkaktuar dëmtime në trupin e rrugës”, ka deklaruar Basha.
Ai ka shtuar se projekti në fjalë ka një gjatësi prej 16 kilometrash dhe vlerë prej 3.1 milionë eurosh.
“Në terren pashë nga afër sanimin e problemit dhe, së bashku me menaxherin e projektit, inspektuam edhe ecurinë e punimeve për rehabilitimin e rrugës Prekoc – Marec – Krilevë (R123a), një projekt me gjatësi prej 16 kilometrash dhe vlerë prej 3.1 milionë eurosh, i cili është në proces rehabilitimi”, ka thënë ai.
Basha ka theksuar se gjatë realizimit të projektit do të bashkëpunohet edhe për mundësinë e ndërhyrjes në shtratin e lumit përgjatë këtij segmenti, me qëllim parandalimin e vërshimeve në të ardhmen.
“Gjatë realizimit të këtij projekti do të bashkëpunojmë ngushtë me Ministren Pacolli për të shqyrtuar mundësinë e rehabilitimit edhe të shtratit të lumit përgjatë këtij segmenti. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e vërshimeve dhe në mbrojtjen e trupit të rrugës nga dëmtimet në të ardhmen”, ka deklaruar Basha.
Në fund, ministri ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të punimeve dhe pranisë së ujërave në këtë segment rrugor. /Telegrafi/
