Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ku është diskutuar për statusin e punëtorëve teknikë të shkollave fillore në kryeqytet.
Sipas njoftimit të federatës, në takim morën pjesë kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa tema kryesore ishte situata e punëtorëve teknikë, të cilët aktualisht janë pa kontrata pune dhe, si pasojë, ekzistonte rreziku që të mbeteshin edhe pa pagën për muajin qershor.
FSPTSPK bën të ditur se në përfundim të takimit, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka garantuar se nuk do të ketë largime nga puna dhe se punëtorët do të marrin pagat për muajin qershor.
Po ashtu, sipas federatës, është premtuar se procedurat për lidhjen e kontratave të punës do të përfundojnë në afatin më të shpejtë të mundshëm.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës thekson se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje dhe zbatimin e zotimeve të dhëna në takim. /Telegrafi/
