KORREKT / SOT26 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Me Wilhlem Tellin, Skënderbeun dhe shumë imagjinatë pranë Liqenit të Luzernit

Me Wilhlem Tellin, Skënderbeun dhe shumë imagjinatë pranë Liqenit të Luzernit

Shënime nga ecjet në Zvicër (2).

Madhështia e tij, Liqeni i Luzernit në gjermanisht quhet Vierwaldstättersee (që i bie Liqeni i Katër Kantoneve Pyjore): këtu, sipas legjendës, është zemra e Zvicrës. Mite, histori, legjenda, dokumente me rëndësi – në këtë zonë gjenden.

Ditë më parë ecja në këtë trevë filloi në fshatin Flüelen, buzë liqenit, dhe vazhdoi buzë liqenit deri në katundin Morschach, ku njerëzit e shtynin kohën me verë të bardhë, birrë e pije të tjera në pritje të ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Katarit.

Shtegu mund të zgjatet e shkurtohet sipas dëshirës, sot i kalova nja 15 kilometra, për 4 orë. Panorama është mahnitëse, shtegu i rregulluar me kujdes, me banka për pushim, aty-këtu me shkallë prej druri.

Këndejpari, në qytezën e Schwyzit, gjendet muzeu Bundesbriefmuseum, ku ruhet karta origjinale e pavarësisë; ajo daton nga viti 1291, kur përfaqësues të tri kantoneve (Uri, Schwyz, Unterwalden) i dhanë besën njëri-tjetrit për të qëndruar bashkë dhe të lirë përgjithmonë.

Pas nja dy orë ecjeje shfaqet fshati i bukur Sisikon, ndërsa përballë, matanë liqenit, është livadhi Rütli, bari më i shenjtë i Zvicrës – në atë livadh ishte dhënë besa për të hedhur themelet e Zvicrës më 1291.

Në gjermanisht emri zyrtar i Zvicrës është Schweizerische Eidgenossenschaft – në shqip mund të përkthehet si Besëlidhja Zvicerane.

Tre kilometra para Sisikonit ofrohet një rast për t’u futur thellë në historinë e vendit. Aty gjendet Tellskapelle, Kishëza e Wilhelm Tellit, heroit nacional zviceran, për të cilin nuk ka dëshmi se ka ekzistuar. Por për çka ekziston letërsia?

Klasiku gjerman Friedrich Schiller e ka përjetësuar Tellin në një dramë. Katër murale të Tellskapelle shpjegojnë historinë zanafillore të Zvicrës. Telli refuzoi t’i përulej kapelës së guvernatorit austriak Gessler (murali i parë), i cili, si ndëshkim, e detyroi atë të qëllonte me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të tij (murali i dytë).

Telli bëri një gjuajtje të përsosur, por pranoi se shigjetën e dytë e kishte ruajtur për të vrarë tiranin nëse djalit do t’i ndodhte gjë. Sundimtari i huaj, Gessleri, urdhëroi arrestimin e Tellit.

Ndërsa po e bartnin me një varkë mbi liqen, shpërtheu një stuhi dhe rojet ia dhanë drejtimin e varkës Tellit, i cili ishte lundrues me përvojë.

Telli përfitoi nga rasti, kërceu mbi një shkëmb dhe iku, por më parë ia dha një shkelm varkës, duke i lënë ata që e arrestuan në mes të stuhisë liqenore (murali i tretë).

Në muralin e katërt shihet livadhi Rütli. Telli nuk e la me kaq pasi shpëtoi. Ai i zuri pritë Gesslerit në një rrugicë të ngushtë malore dhe e vrau me shigjetë.

Më 2024 regjisori nga Irlanda e Veriut, Nick Hamm, solli në kinema filmin „Wilhelm Tell“, një version i hollivudianizuar i mitit zviceran. Edhe në film Telli e qëllon mollën me shigjetë. Por para se të bëjë këtë akt heroik, ai, sipas regjisorit, ka një të kaluar si pjesëmarrës në kryqëzata.

Është i martuar me një myslimane (arabe), të cilën e ka shpëtuar bashkë me djalin e saj. Pas kthimit në Zvicër djali pagëzohet me emrin Walter.

Tani ndokush mund të pyesë: e si kanë qenë reagimet në Zvicër? A pati një fushatë zemërimi? A pati mallkime ndaj regjisorit, i cili heroin nacional zviceran e martoi me një arabe? A pati fushatë linçuese? Përgjigjjja: jo, asgjë nga këto. Arti është art. Dhe arti ka të drejtë të merret me interpretime dhe me provokime.

Nuk besoj që një regjisor i huaj apo edhe shqiptar do të shpëtonte lehtë nga mllefi kolektiv patriotik shqiptar sikur të bënte një film për Skënderbeun, i cili është i martuar me një afrikane, të birin e së cilës heroi kombëtar shqiptar e birëson. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.