Dëme të mëdha në objekte dhe në bujqësi kanë shkaktuar rrebeshet e shiut të mbrëmshëm, të përcjella edhe me breshër në shumë fshatra të komunës së Gjakovës.
Zyrtarët komunalë thonë se është ngritur komisioni për vlerësimin e dëmeve, i cili së shpejti do të dalë me një raport përmbledhës që do t`u dërgohet institucioneve qendrore për kompensim.
Rrebeshet e shiut të mbrëmshëm, të përcjella edhe me breshër, në shumë fshatra të komunës së Gjakovës kanë shkaktuar dëme të mëdha në objekte dhe në bujqësi.
Muharrem Shala nga Cërmjani tha se, krahas dëmeve të tjera në misër dhe kultura të tjera bujqësore, rreth 2 hektarë vreshta pothuajse i janë dëmtuar krejtësisht.
“Ka ardhur në formë të ‘tornados’ shi dhe breshër, frymë e madhe. Tani po e shihni se rreth 70% është dëmtuar. Këtu kemi punuar me mundësitë tona, madje edhe me investime të mëdha, por tani vetëm një spërkatje na kushton rreth 70 euro, barnat, makineritë… çfarë të bëjmë”, tha Muharrem Shala, fermer.
Era e fortë ka dëmtuar gjithashtu shumë kulme shtëpish, makineri, vetura dhe sidomos çatitë e fermave në këtë lokalitet.
“Shi e breshër i përzier, një stuhi të tillë nuk kemi parë asnjëherë, edhe pse i kam afër 70 vjet. Ka dëmtuar kulme, shtylla të rrymës e shumë gjëra të tjera. Njerëzit shpëtuan, por dëmet janë të konsiderueshme. Ka raste kur kulmi është bartur edhe 200 metra në ara, mbi shtëpi e objekte”, theksoi Hajdar Kida, fermer.
Për të parë nga afër gjendjen e krijuar, gjatë gjithë ditës kanë qenë në terren zyrtarët komunalë.
“Po shihet edhe nga afër se fermerët janë dëmtuar në kultura të ndryshme bujqësore, sidomos në fshatin Cërmjan ku vreshtarët janë më të prekurit. Po ashtu kemi të dëmtuar edhe fermerë që kanë shtalla apo ferma, ku çatitë janë dëmtuar”, tha Gani Hajdari, drejtor i DBZHR në Gjakovë.
Hajdari tha se tashmë është ngritur komisioni për vlerësimin e dëmeve, i cili së shpejti do të dalë me një raport përmbledhës që më pas do t’u dërgohet institucioneve qendrore për kompensim.
