Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka zbuluar së fundmi se pasioni për muzikën dhe letërsinë ka luajtur një rol të rëndësishëm në mësimin e gjuhëve të huaja.
Në një deklaratë që ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, Meloni tregoi se anglishten e përmirësoi falë legjendës së muzikës pop, Michael Jackson.
“E përmirësova anglishten sepse isha fanse e Michael Jacksonit. Doja të kuptoja se çfarë thoshin tekstet e këngëve të tij”, u shpreh ajo.
Kryeministrja italiane zbuloi gjithashtu se interesi për poetët dekadentë e shtyu të thellonte njohuritë në gjuhën frënge.
“Shkova më tej me frëngjishten sepse isha e apasionuar pas poetëve dekadentë”, tha Meloni.
Ndërsa sa i përket spanjishtes, ajo shpjegoi se e mësoi për arsye familjare. “Flas spanjisht sepse, kur isha e vogël, babai im jetonte në Ishujt Kanarie, ndaj më duhej të përshtatesha”, deklaroi ajo.
Deklarata e Melonit është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë vlerësuar mënyrën e saj të sinqertë për të treguar se si pasionet personale dhe rrethanat familjare kanë ndikuar në formimin e saj gjuhësor. /Telegrafi/
