Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar përgatitjen e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë.
Paneli, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, po e zhvillon këtë proces në prani të monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës dhe besueshmërisë.
Sipas njoftimit, “tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit”.
Intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pritet të fillojnë në ora 11:00. Në garë janë pesë kandidatë, mes tyre prokurorë nga departamente të ndryshme të Prokurorisë Speciale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në lidhje me procesin, kryesuesi i Panelit Vlerësues, Arian Gashi, ka theksuar se “procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.”
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë opinionin publik dhe mediat për ecurinë e procesit, duke theksuar përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe integritetit institucional. /Telegrafi/
