Kotelja e një familjeje nga Michigani është zyrtarisht mbajtëse e rekordit botëror Guinness, pasi një veteriner verifikoi se kishte lindur me 28 gishta në këmbë.
Koteleja 10-muajshe e familjes Henderson, Toby, barazoi rekordin për numrin më të madh të gishtave në këmbë në një mace, i cili më parë ishte vendosur nga një kafshë shtëpiake kanadeze me emrin Jake në vitin 2002.
Macet zakonisht kanë 18 gishta në këmbë. Macet me gishta shtesë njihen si polidaktil, transmeton Telegrafi.
“Kur pashë për herë të parë gishtat e tij, me të vërtetë nuk mund ta besoja atë që po shihja”, tha banorja e Lansingut, Delaney Henderson, për Guinness World Records.
“Duke pasur një mace tjetër polidaktil, prisja ‘gishtat e mëdhenj’ shtesë, por asgjë nuk mund të më kishte përgatitur të shihja putrat e Toby-t”, shtoi Henderson.
Henderson tha se ishte fytyra e Toby-t dhe mjaullima e shpeshtë bëri që ajo të binte në dashuri.
“Kur e takova, kisha një ndjesi të brendshme se ai ishte i destinuar të ishte në jetën time dhe jam shumë mirënjohëse që i kam dhënë një shtëpi përgjithmonë”, tha ajo.
Pronarët e Toby-t thanë se këmbët e tij të pazakonta nuk i shkaktojnë asnjë shqetësim apo problem me lëvizshmërinë.
“Ai është në shëndet të shkëlqyer dhe, përveç një prerjeje të plotë të thonjve – ai ka edhe 30 kthetra – ai është një mace e zakonshme pa shqetësime shtesë”, tha Henderson. /Telegrafi/
