Bahamas ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë vendi i 121-të që e njeh shtetin e Kosovës. Vendimi është cilësuar si historik për vendin dhe përpjekjet e vazhdueshme diplomatike të tij.
Marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në kryeqytetin e Bahamas, në prani të përfaqësuesve të të dyja shteteve, përfshirë Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis. Me këtë akt, Kosova dhe Bahamas zyrtarizojnë hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi dypalësh.
Në Deklaratën e përbashkët thuhet se marrëdhëniet diplomatike vendosen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Të dyja palët riafirmojnë përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke theksuar respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Kosova dhe Bahamas shprehin gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, si dhe shkëmbimet ndërmjet qytetarëve.
Të dyja shtetet vlerësojnë se ky partneritet i ri do t’u shërbejë interesave të popujve përkatës dhe do të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.