Më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht do të mbahet edicioni më i madh i muzikës në vend, Sunny Hill Festival, i cili do t’u sjellë fansave tre net të mbushura me energji, muzikë dhe performanca të paharrueshme.
Festivali do të zhvillohet në Bërnicë të Poshtme, afër Prishtinës, në një hapësirë të veçantë e të dedikuar enkas për këtë ngjarje madhore, duke ofruar kushte të përshtatshme për pjesëmarrësit dhe një atmosferë unike verore.
Një nga emrat më të mëdhenj të konfirmuar për këtë edicion është artistja amerikane Katy Perry, e cila pritet të sjellë një performancë spektakolare me hitet e saj të njohura botërore, të cilat mezi priten nga fansat.
Edhe pse lista e plotë e artistëve ende nuk është bërë publike, deri tani janë konfirmuar emra të mëdhenj dhe të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë Martin Garrix, Pawsa, Seth Troxler, Adam Port, Rampa, Manifest, Carlita dhe Dhurata Dora.
Këta artistë pritet të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme dhe të ofrojnë një spektakël të vërtetë për publikun.
Gjatë javëve në vijim, organizatorët pritet të zbulojnë edhe emra të tjerë të mëdhenj që do t’i bashkohen këtij edicioni, duke e bërë festivalin edhe më tërheqës dhe të shumëpritur nga fansat e muzikës.
Kujtojmë se biletat për edicionin e sivjetmë janë në shitje dhe mund t’i blini në faqen zyrtare sunnyhillfestival.com.
