Për vite me radhë, Shqipëria ka mbetur jashtë vëmendjes kryesore të turizmit evropian – e njohur, por rrallëherë zgjedhja e turistëve, shkruan media kanadeze “HOLR Magazine”.
Kjo po ndryshon me shpejtësi. Numri i vizitorëve është rritur vazhdimisht dhe kompanitë ajrore me kosto të ulët, tashmë lidhin Tiranën me shumicën e qyteteve kryesore evropiane.
Ndërsa vendi, që për dekada qëndroi i izoluar nga bota, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, duke u ofruar atyre mundësinë ta zbulojnë përpara se zhvillimi i infrastrukturës dhe rritja e kërkesës turistike të sjellin edhe rritjen e çmimeve.
Ajo që e bën Shqipërinë të vlefshme për t’u vizituar nuk është vetëm një element i veçantë.
Është kombinimi unik i qyteteve të vjetra osmane, vijës bregdetare të Jonit, rrënojave bizantine, fshatrave malorë dhe kuzhinës tradicionale që ruan ende, identitetin e saj origjinal.
Vendi shtrihet në një vijë bregdetare rreth 450 kilometradhe në një vargmal madhështor, Alpet Shqiptare, që kanë tërheqin vëmendjen e alpinistëve dhe adhuruesve të ecjeve.
Megjithatë, nëse pyet shumicën e atyre që e kanë vizituar Shqipërinë, se çfarë u ka mbetur më shumë në mendje, përgjigjja është zakonisht e njëjtë: një vend diku në veri, pranë ujit.
Veriu, aty ku natyra shfaq madhështinë e saj
Shkodra është porta hyrëse. Qyteti i katërt më i madh i Shqipërisë, ndodhet në skajin e Alpeve, rreth dy orë larg Tiranës, dhe shërben si bazë për gjithçka që vjen më pas.
Vetë qyteti është shndërruar në një destinacion gjithnjë e më tërheqës, falë Kalasë së Rozafës, restoranteve e lokaleve të reja dhe atmosferës së Pazarit të Vjetër.
Rreth një orë në lindje të Shkodrës, peizazhi ndryshon tërësisht.
Kanioni i lumit Drin shpaloset në gjithë madhështinë e tij, rrugët bëhen më të ngushta dhe pamja e parë e Liqenit të Komanit – me ujërat e tij ngjyrë bruz mes shkëmbinjve që ngrihen qindra metra lart – zakonisht i lë vizitorët pa fjalë.
Lumi i Shalës, perla e Shqipërisë
Thellë në sistemin e kanioneve, aty ku Liqeni i Komanit ngushtohet dhe muret shkëmbore afrohen deri pranë sipërfaqes së ujit, nis rrjedha e Lumit të Shalës.
Ai është quajtur shpesh “Tajlanda e Shqipërisë” – falë bukurisë natyrore të pabesueshme.
Kanioni i Lumit të Shalës është një nga ato vende që fotografitë i pasqyrojnë me saktësi, por që sërish arrijnë të befasojnë, kur i sheh nga afër.
Uji është i kthjellët deri në fundin e lumit, i ftohtë edhe në kulmin e verës dhe me një nuancë bruz, që duket sikur nuk ekziston në asnjë katalog ngjyrash.
Brigjet me zhavorr të imët janë të bardha, ndërsa muret e kanionit ngrihen qindra metra lart, të mbuluara me pyje deri në kreshtat e tyre.
Nuk ka rrugë që të çojnë drejt Lumit të Shalës.
Mënyra e vetme për të mbërritur atje është me varkë nga Liqeni i Komanit – një udhëtim prej rreth 45 minutash përmes kanionit, i cili e justifikon udhëtimin drejt veriut.
Një nga operatorët më të njohur që organizon këto lundrime është “North Albania Boat”.
Turi i përditshëm niset nga Komani në orën 09:00 dhe mbërrin në Lumin e Shalës rreth orës 10:15, duke u dhënë vizitorëve katër orë e gjysmë deri në pesë orë kohë, për të notuar, për të bërë kajak në zonën e brendshme të kanionit ose thjesht për t’u ulur në breg dhe për të soditur shkëmbinjtë përreth.
Kthimi në Koman bëhet rreth orës 15:30.
Turistët mund ta shijojnë këtë eksperiencë nga prilli deri në tetor, me çmime që nisin nga 25 euro për person.
Është një nga ato ditë që të ndryshojnë mënyrën, se si e percepton ende potencialin e udhëtimeve në Evropë.
Pse duhet vizituar pikërisht tani?
Shqipëria ndodhet në një moment të veçantë, që turistët me përvojë e njohin mirë dhe e kërkojnë.
Infrastruktura është përmirësuar mjaftueshëm për të ofruar komoditet.
Turmat ende nuk kanë mbërritur në përmasat që shihen sot në Kroaci apo Mal të Zi.
Çmimet mbeten të ulëta. Ndërsa peizazhi natyror është ruajtur në masë të madhe dhe mbetet i paprekur.
Me kalimin e kohës, Riviera shqiptare mund të përjetojë të njëjtin zhvillim turistik si shumë destinacione të njohura të Mesdheut
Tirana do të vazhdojë të rritet në rolin e saj si një kryeqytet i vogël evropian. Por veriu – me kanionet, Alpet dhe lumin e Shalës, që mes shkëmbinjve gëlqerorë – do të jetë shumë më i vështirë për t’u ndryshuar.
Vizitorët e sotëm po përjetojnë një moment unik, që nuk do të zgjasë përgjithmonë: Shqipëria mbetet një destinacion në zbulim e sipër, ku shumë prej vendeve më të jashtëzakonshme të krijojnë ende ndjesinë se po zbulon një thesar të fshehur, e jo një atraksion të njohur nga të gjithë. //a.i/
