Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Çlirim Gërbeshi, ka reaguar duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës po forcon ndikimin e saj në institucionet komunale të Prishtinës.
Sipas tij, PDK-ja ka marrë kontrollin edhe në katër ndërmarrje komunale, pas shumicës së drejtorive të mëhershme në kryeqytet.
“Pas shumicës së drejtorive, të martën PDK-ja i kapë edhe katër ndërmarrje komunale të Prishtinës”, ka shkruar Gërbeshi.
Ai ka deklaruar se kjo situatë lidhet me marrëveshjet politike të balotazhit në Prishtinë.
“Kjo është pjesa e çmimit që Përparim Rama ia paguan PDK-së për ndihmën në balotazh”, ka shtuar ai.
Gërbeshi ka pretenduar gjithashtu se ndikimi i PDK-së në Prishtinë është më i madh se ai i LDK-së.
“Në Prishtinë, më shumë pushtet ka PDK-ja se LDK-ja. Edhe, përveç ndërmarrjeve, tashmë po dihet që PDK-ja e ka kap edhe kryetarin Rama”, ka deklaruar ai.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të përplasjeve politike dhe akuzave të ndërsjella për ndikim në institucionet komunale të kryeqytetit. /Telegrafi/
