Katër persona janë shoqëruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës, pasi dyshohet se kanë tentuar të shkruajnë grafite në një mural në sheshin e këtij qyteti.
Të njëjtit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.
Sipas tij, personat janë ndaluar pasi në një mural në një ndërtesë afër shtatores së Car Llazarit kishin shkruar disa mbishkrime si “Kosovska Mitrovica”, “Millan”, “Luka”, “Petar Pavle” dhe të tjera.
Elshani ka bërë të ditur se për njërin prej tyre është shqiptuar gjobë për vandalizëm, pasi kishte shkruar mbishkrimin “Kosovoska Mitrovica”.
“Kanë qenë duke u përgatitur për ta bërë një mural. I kemi sjellë në stacion të Policisë. Njërit ia kemi shqiptuar një tiketë për vandalizëm për shkak të mbishkrimit ‘Kosovoska Mitrovica’”, ka deklaruar Elshani për Telegrafin.
Ai shtoi se çdo iniciativë për murale duhet të marret leje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), veçanërisht në rastet kur mund të ndikojë në rendin dhe qetësinë publike.
Sipas tij, asnjë aktivitet i tillë nuk mund të realizohet pa miratimin e institucioneve kompetente. /Telegrafi/
