Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim një emision të jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një nga jubileet më të rëndësishme në historinë moderne të demokracisë.
Ky emision filatelik është realizuar në shenjë respekti dhe vlerësimi për shpalljen e pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776, një ngjarje që shënoi fillimin e një shteti të ndërtuar mbi idealet e lirisë, vetëvendosjes dhe demokracisë.
Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare që shënojnë dy shekuj e gjysmë nga kjo ngjarje historike.
Në njoftimin e saj, Posta e Kosovës vlerëson kontributin historik të SHBA-së në promovimin e paqes, lirisë dhe zhvillimit demokratik në botë, duke theksuar gjithashtu marrëdhëniet e veçanta të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emisioni përbëhet nga një pullë postare me vlerë nominale prej 2.10 euro, e vendosur në një tabak të dizajnuar me katër pulla, si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë. Ky i fundit, i shoqëruar me Vulën e Ditës së Parë, përbën një koleksion të veçantë për filatelistët dhe dashamirët e historisë postare.
Me këtë emision përkujtimor, Posta e Kosovës nderon idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, vlera që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë dhe që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. /Telegrafi/
