Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka thënë se është gati të përmirësojë marrëdhëniet me yllin e Inter Miamit, Lionel Messi, duke theksuar se legjenda argjentinase meriton një nderim të madh dhe një statujë në Camp Nou.
Laporta ka rikujtuar lidhjen e veçantë mes Messit dhe Barcelonës, duke theksuar se ai nënshkroi kontratën e parë të argjentinasit kur ishte vetëm 16 vjeç.
Presidenti i Blaugranave vlerësoi Messin si një nga kapitujt më të lavdishëm në historinë e klubit, duke thënë se ai meriton nderim të plotë, madje edhe një statujë.
Laporta shtoi se është i gatshëm të rregullojë çdo gjë nga ana e Barcelonës, duke shprehur shpresën që një ditë rrugët e tyre të kryqëzohen sërish.
“Unë nënshkrova kontratën e parë të Messit kur ai ishte 16 vjeç. Ajo që jetuam me të është një nga momentet më të lavdishme në historinë e Barcelonës, nëse jo më i madhi. Ai meriton një nderim, një statujë, njohje të plotë”, ka thënë fillimisht Laporta.
“Varet edhe nga pala tjetër. Jam i gatshëm të rregulloj çdo gjë. Messi i ka dhënë shumë Barcelonës, dhe Barça i ka dhënë shumë atij. Shpresoj të takohemi përsëri një ditë”.
Laporta në fund ka folur edhe [ër largimin kontrovers të Messit në vitin 2021.
“Tema e Messit më trishton. Unë jam tifoz i Barcelonës, por mbi gjithçka është institucioni. Nëse do të isha anëtar, do ta kuptoja atë që bëri presidenti për të mirën e klubit”, përfundoi presidenti i Barçës. /Telegrafi/