Trepça ka njoftuar se ka rikthyer në menaxhim një nga pronat e saj afariste në qendër të Prishtinës, më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës.
Bëhet fjalë për një lokal afarist të njohur për publikun si “Tuneli”, i vendosur në rrugën “Johan V. Hahn”, pranë Hotel Grand, Sheshit “Zahir Pajaziti” dhe bulevardit “Xhorxh Bush”, një zonë me frekuentim të lartë dhe potencial të konsiderueshëm ekonomik.
Sipas njoftimit, prona përfshin një lokal me sipërfaqe prej 190.75 metra katrorë, i përbërë nga hapësira kryesore e biznesit, zyra, nyje sanitare dhe hyrje, si dhe një terasë me sipërfaqe prej 47 metrash katrorë.
Nga Trepça vlerësojnë se, bazuar në lokacionin strategjik dhe potencialin afarist të objektit, vlera e tregut e kësaj prone tejkalon 900 mijë euro.
“Ky rikthim nuk përfaqëson vetëm një fitore juridike dhe institucionale, por edhe një mundësi konkrete për krijimin e të hyrave të qëndrueshme dhe përmirësimin e performancës financiare të ndërmarrjes”, thuhet në njoftim.
Sipas ndërmarrjes, rikthimi i lokalit përbën një tjetër sukses në procesin e identifikimit, mbrojtjes dhe funksionalizimit të pasurive të saj.
“Ky është një sukses i radhës në përpjekjet për identifikimin, mbrojtjen, rikthimin dhe funksionalizimin e pronave të Trepçës, duke forcuar bazën ekonomike dhe pasurinë e saj për brezat e ardhshëm”, thuhet më tej.
Trepça ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për rikthimin e pronave që i takojnë ndërmarrjes dhe shndërrimin e tyre në vlera konkrete ekonomike. /Telegrafi/
