Kur Medina Ali hyri për herë të parë në ring me emrin artistik Xena Phoenix, ajo nuk po realizonte vetëm një ëndërr personale. Vajza e emigrantëve shqiptarë po bëhej pjesë e historisë, duke u shndërruar në gruan e parë shqiptare që garon në mundjen profesionale.
Nën dritat e forta të arenës dhe para qindra shikuesve, Medina e dinte se po përfaqësonte shumë më tepër sesa veten. Ajo mbante me krenari rrënjët e saj shqiptare dhe historinë e familjes së saj, e cila kishte nisur mijëra kilometra larg Shteteve të Bashkuara.
E lindur dhe e rritur në Los Anxhelos, Medina është vajza e dy emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët u vendosën në SHBA gjatë viteve ’90 në kërkim të një jete më të mirë. Duke u rritur, ajo ishte dëshmitare e sakrificave të mëdha që prindërit e saj bënë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për familjen.
“Duke parë sa shumë kanë punuar prindërit e mi për jetën që kanë ndërtuar për familjen tonë, u frymëzova që në moshë të vogël”, ka thënë Medina.
Pikërisht këto sakrifica ndikuan në formimin e karakterit të saj dhe në mënyrën se si ajo e sheh jetën.
“Duke i parë ata, kuptova se çfarëdo që vendos në mendje, mund ta arrij.”
Për Medinën, identiteti shqiptar ka qenë gjithmonë një pjesë e pandashme e jetës së saj.
“Gjithmonë kam qenë krenare për rrënjët dhe kulturën time. Kur vendosa të hyja në botën e mundjes profesionale, e dija menjëherë se doja ta përfaqësoja kulturën time.”
Megjithatë, rruga drejt ringut nuk ishte pjesë e planeve të saj fillestare. Gjatë studimeve për film në universitet, ajo iu bashkua një palestre MMA-je vetëm për të qëndruar aktive fizikisht. Por shumë shpejt, ajo që nisi si një aktivitet i zakonshëm u shndërrua në një pasion të vërtetë.
E frymëzuar nga emra të njohur si Ronda Rousey, Medina fillimisht u përfshi në boks, më pas në Muay Thai dhe më vonë në Brazilian Jiu-Jitsu.
“Kur zbulova jiu-jitsun, ishte hera e parë në jetën time që u ndjeva kaq e lidhur me diçka.”
Rrugëtimi i saj nuk ishte aspak i lehtë. Në shumë raste, ajo ishte një nga gratë e pakta në palestër dhe në garat ku merrte pjesë. Por në vend që ta pengonin, këto sfida e motivuan edhe më shumë për të vazhduar përpara.
Një kthesë e rëndësishme erdhi kur, pothuajse rastësisht, ajo mori pjesë në një provë për mundjen profesionale. Aty zbuloi një botë që kombinon atletizmin, disiplinën dhe artin e tregimit të historive përmes performancës sportive.
Megjithatë, sfida ishte shumë më e madhe sesa e kishte imagjinuar.
“Ishte stërvitja më e vështirë që kam përjetuar ndonjëherë”, kujton ajo për “Atalantiku”.
Për një kohë, Medina u rikthye te jiu-jitsu, duke menduar se mundja profesionale ishte tepër e vështirë për të. Por gjithçka ndryshoi në fillim të vitit 2024, kur organizata WOW – Women of Wrestling e ftoi në një provë.
“Kur hyra atë ditë aty, më ofruan një kontratë për t’u trajnuar si mundëse profesioniste.”
Momenti kulmor i këtij rrugëtimi erdhi në debutimin e saj si Xena Phoenix.
“Nuk kam qenë kurrë më nervoze në jetën time, por asnjëherë më krenare për atë që po bëja dhe për atë që po përfaqësoja.”
Për Medinën, hyrja në ring nuk ishte vetëm një sukses personal. Ishte një mundësi për ta bërë identitetin shqiptar të dukshëm në një sport ku shqiptarët pothuajse nuk kanë pasur përfaqësim.
“Të përfaqësoja shqiptarët në atë ring do të thoshte gjithçka për mua.”
Sot, Medina Ali konsiderohet gruaja e parë shqiptare në mundjen profesionale dhe një tjetër histori suksesi e diasporës shqiptare. Ajo po dëshmon se talenti, puna dhe këmbëngulja mund t’i çojnë shqiptarët në majat e çdo fushe, sado e pazakontë të duket ajo.
Ndërsa historia e saj po frymëzon shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Ballkan, Medina mbetet mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë gjatë këtij rrugëtimi.
“Faleminderit shumë për mbështetjen. Ju e keni bërë këtë rrugëtim të vlefshëm.”
Ndërsa mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë mbetet i thjeshtë, por i fuqishëm: “Nëse keni një ëndërr dhe një pasion në zemrën tuaj, jepini vetes leje të dilni përpara dhe ta ndiqni”./Telegrafi/
