Ish-sulmuesi i Anglisë, Michael Owen, ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos pas valës së kritikave që ka përjetuar kapiteni i Portugalisë pas ndeshjes së parë në Kupën e Botës 2026.
Portugalia u ndal në një barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve, ndërsa Ronaldo luajti 90 minuta pa arritur të shënojë apo të regjistrojë asistim.
Owen beson se kritikat ndaj sulmuesit portugez janë të tepruara dhe se performanca e ekipit nuk mund t’i faturohet vetëm atij.
“Het-triku i Messit një ditë para ndeshjes së Portugalisë nuk e ndihmon Cristianon, por unë nuk do ta kritikoj atë”.
“Portugalia nuk tregoi versionin e saj më të mirë kundër Republikës Demokratike të Kongos dhe shumica e kritikave vijnë nga ideja se Ronaldo ishte problemi i ekipit. Por a nuk ka luajtur ai gjithmonë në këtë mënyrë, deri diku?”.
“Në vitet e fundit ai nuk ka qenë shumë i përfshirë në lojën e përgjithshme, por aktivizohet në momentet vendimtare. Nëse nuk shënon, është shumë e lehtë të fajësohet ai. Kur je 41 vjeç, gjithmonë do të jesh nën pikëpyetje”, shtoi ish-reprezentuesi anglez.
Owen është i bindur se Ronaldo ka aftësinë për t’iu përgjigjur kritikëve menjëherë në ndeshjen e ardhshme.
“Kjo ka ndodhur shumë herë më parë dhe ai i ka bërë të gjithë të heshtin që në ndeshjen pasuese. Nuk do të habitesha nëse ai u përgjigjet me një het-trik ndaj Uzbekistanit”, përfundoi Owen.
Portugalia do të përballet me Uzbekistanin në ndeshjen e dytë të grupit, ku Ronaldo do të ketë një tjetër mundësi për të dëshmuar se vazhdon të jetë vendimtar edhe në moshën 41-vjeçare./Telegrafi/
