Mesfushori i Brazilit, Lucas Paqueta, ka pranuar se lëndimi i Raphinhas është një goditje e rëndë për ekipin, por ka theksuar se Seleçao duhet të përshtatet sa më shpejt përpara ndeshjes vendimtare ndaj Skocisë në Kupën e Botës 2026.
Raphinha u detyrua të largohej nga fusha gjatë pjesës së parë të fitores së Brazilit ndaj Haitit për shkak të një lëndimi në kofshë. Federata Braziliane e Futbollit konfirmoi se anësori i Barcelonës do t’i nënshtrohet një trajtimi intensiv me shpresën që të rikthehet gjatë fazës me eliminim direkt.
Ylli brazilian, i cili ka shënuar 11 gola në 41 paraqitje me kombëtaren, do të mungojë në përballjen e rëndësishme të grupit C kundër Skocisë më 24 qershor.
“Jemi të gjithë të mërzitur, veçanërisht Rafa (Raphinha), për shkak të këtij pengimi të vogël nga lëndimi, por ai mund të llogarisë në mbështetjen e të gjithëve. Jemi pranë tij”, deklaroi Paqueta.
“Ai është një djalë shumë i përkushtuar dhe jam i sigurt se do të bëjë gjithçka të mundur dhe të pamundur për t’u rikthyer sa më shpejt. Sa i përket rëndësisë së tij, nuk besoj se kam nevojë të them shumë”.
“Ai ka kaluar disa sezone të jashtëzakonshme dhe është përmirësuar vazhdimisht me kombëtaren. Kur mungon një lojtar me kaq shumë peshë, duhet të ristrukturohesh shpejt”.
“Të gjithë i njohim karakteristikat e tij, cilësitë, shpejtësinë, aftësinë për të krijuar hapësira dhe për të finalizuar. Po humbasim një lojtar shumë të rëndësishëm”.
“Megjithatë, nuk po fokusohemi shumë te koha që do të mungojë. Thjesht shpresojmë që të rikthehet sa më shpejt”, përfundoi mesfushori brazilian.
Përballja mes Brazilit dhe Skocisë do të jetë e pesta në historinë e Kupës së Botës mes këtyre dy kombëtareve, pas takimeve në vitet 1974, 1982, 1990 dhe 1998. Vetëm dueli Argjentinë – Holanda është zhvilluar më shumë herë në Botëror që nga edicioni i vitit 1974.
Brazili aktualisht kryeson grupin me katër pikë, por ende mund të përfundojë në vendin e tretë nëse pëson humbje ndaj skocezëve në stadiumin e Miamit./Telegrafi/
