KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Çmenduri në zhveshtore: Pse mbreti dhe mbretëresha e Holandës festuan me futbollistët e Curaçaos?

Çmenduri në zhveshtore: Pse mbreti dhe mbretëresha e Holandës festuan me futbollistët e Curaçaos?

Prania e një mbreti dhe mbretëreshe në zhveshtore pas një ndeshjeje futbolli është e pazakontë. Akoma më e çuditshme bëhet kur kombëtarja kryesore e vendit të tyre po luan rreth 1.200 kilometra larg.

Megjithatë, në këtë Botëror, pak gjëra kanë qenë të zakonshme për Curaçaon. Përfaqësuesja e vogël nga Karaibet arriti të nxjerrë një barazim historik 0-0 ndaj Ekuadorit, duke fituar pikën e parë ndonjëherë në historinë e pjesëmarrjeve të saj në Kupën e Botës.

Ekuadori dominoi plotësisht takimin, duke regjistruar plot 27 goditje drejt portës, por nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.

Heroi absolut i ndeshjes ishte portieri 37-vjeçar Eloy Room, i cili realizoi plot 15 pritje dhe mbajti të paprekur portën e ekipit të tij.

Pas humbjes së rëndë 7-1 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e parë, ky rezultat u përjetua si një triumf i madh nga Curaçao, ishulli me vetëm rreth 160 mijë banorë. Ndërkohë, Ekuadori e komplikoi ndjeshëm situatën e tij para sfidës vendimtare me Gjermaninë.

Por skenat që pushtuan rrjetet sociale erdhën pas vërshëllimës së fundit. Shumë tifozë u habitën kur panë mbretin Willem-Alexander dhe mbretëreshën Maxima të Holandës duke festuar në zhveshtore me futbollistët e Curaçaos.

Arsyeja lidhet me statusin kushtetues të ishullit. Edhe pse Curaçao ka parlamentin dhe qeverinë e vet, ai është një shtet përbërës brenda Mbretërisë së Holandës.

Kjo do të thotë se mbreti dhe mbretëresha holandeze janë njëkohësisht edhe krerët zyrtarë të shtetit të Curaçaos.

Familja mbretërore zhvilloi një maratonë të vërtetë tifozësh gjatë ditës. Fillimisht ndoqi nga afër në Houston fitoren bindëse të Holandës ndaj Suedisë me rezultat 5-1, ndërsa menjëherë pas përfundimit të asaj ndeshjeje udhëtoi drejt Kansas Cityt për të mbështetur Curaçaon në sfidën historike kundër Ekuadorit.

Pas pikës së artë të fituar, mbreti Willem-Alexander dhe mbretëresha Maxima nuk qëndruan në tribunën VIP.

Ata zbritën në zhveshtore, ku festuan dhe vallëzuan së bashku me lojtarët dhe stafin teknik, në një moment që shpejt u bë viral në mbarë botën. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.