Madonna duket se po mendon seriozisht për një kapitull të ri për familjen e saj, teksa mediet britanike raportojnë se këngëtarja dëshiron t’u ofrojë binjakeve të saj të adoptuara, Stella dhe Estere, një arsimim tipik britanik.
Vajzat 13-vjeçare thuhet se janë në qendër të planeve të artistes për t’u larguar nga sistemi arsimor amerikan, shkruan DailyMail.
Sipas raportimeve, “Mbretëresha e Pop-it” ka vizituar të paktën një herë Cheltenham Ladies’ College, një nga shkollat private më prestigjioze për vajza në Mbretërinë e Bashkuar, e cilësuar shpesh si “versioni femëror i Eton”.
Institucioni i themeluar në vitin 1853 konsiderohet një nga më të vështirët për t’u pranuar dhe ka nxjerrë figura të njohura si Zara Tindall, aktorja Kristin Scott Thomas dhe ish-bashkëshortja e Elon Musk, Talulah Riley, shkruan DailyMail.
Burime pranë këngëtares kanë bërë të ditur se ajo dëshiron t’u sigurojë vajzave një edukim të mirëfilltë britanik dhe shpreson që ato të nisin studimet atje që në shtator.
Edhe pse Madonna zotëron një rezidencë luksoze me 10 dhoma gjumi në lagjen Marylebone të Londrës, binjaket pritet të jetojnë në konviktin e shkollës.
Në muajt e fundit, artistja 67-vjeçare ka kaluar më shumë kohë në Britani, ku po punon edhe për muzikë të re në bashkëpunim me producentin Stuart Price.
Sipas raportimeve, ajo po shqyrton madje mundësinë për t’u zhvendosur në fshat, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar qendrën e re të jetës së saj.
Madonna adoptoi Stella dhe Esteren nga Malavi në vitin 2017 dhe ka treguar vazhdimisht lidhjen e fortë që vajzat ruajnë me vendin e tyre të lindjes përmes organizatës bamirëse Raising Malawi.
Përveç tyre, ylli është nënë e Lourdes, Rocco, David Banda dhe Mercy James. /Telegrafi/
