Holanda ka shkuar në pushim me epërsi 2-0 ndaj Suedisë, në një pjesë të parë ku skuadra e Ronald Koeman ka qenë më efikase para portës, ndërsa Suedia ka krijuar raste por ka munguar në konkretizim.
Ndeshja u hap me presion të lehtë nga suedezët, ku Viktor Gyokeres provoi dy herë portën. Fillimisht goditja e tij nga distanca u ndal nga portieri Bart Verbruggen, ndërsa më pas një tjetër tentativë nga brenda zonës përfundoi direkt në duart e tij.
Holanda u përgjigj shpejt dhe filloi të marrë kontrollin e lojës, me Cody Gakpo që ishte i rrezikshëm me një goditje me kokë, por pa e mposhtur portierin suedez.
Në minutën e pestë, Holanda kaloi në epërsi. Brian Brobbey shënoi golin e parë pas një asistimi të Cody Gakpo, duke e dërguar topin në rrjetë nga afërsia për 1-0.
Pas golit, Suedia u përpoq të reagojë me Alexander Isak dhe Benjamin Nygren, por tentativat e tyre dolën të pasuksesshme.
Në minutën e 17-të, Holanda dyfishoi avantazhin. Denzel Dumfries asistoi dhe sërish shënoi Brobbey, i cili përfitoi nga hapësira në zonë dhe e dërgoi topin në këndin e poshtëm për 2-0.
Holanda vazhdoi të jetë më konkrete në sulm, me Tijjani Reijnders që provoi një depërtim individual, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Suedia pati një tjetër mundësi të artë me Gyokeres në minutat e fundit të pjesës së parë, por Verbruggen reagoi sërish me një pritje të shkëlqyer për të mbajtur portën e paprekur./Telegrafi/
