Një 91-vjeçare është përplasur me veturën e saj në zonën e jashtme të një restoranti në Einsiedeln të Zvicrës, duke shkaktuar lëndimin e disa personave.
Aksidenti ka ndodhur të enjten pasdite, në rrugën kryesore që të çon drejt sheshit të manastirit të Einsiedeln, ka njoftuar të premten Policia Kantonale e Schwyzit.
Sipas autoriteteve, gruaja ishte duke dalë nga një vendparkim kur, me sa duket, ngatërroi pedalin e gazit me atë të frenave. Si pasojë, vetura u përplas me zonën e jashtme të një kafeneje, e cila ndodhej në anën e kundërt të rrugës, raporton srf.ch.
Disa klientë që ndodheshin në pjesën e jashtme të restorantit u plagosën. Katër prej tyre u dërguan në spital me ambulancë, ndërsa shkalla e lëndimeve të tyre nuk është bërë e ditur.
Shoferja 91-vjeçare nuk ka pësuar lëndime. Ajo është detyruar të dorëzojë patentën e shoferit, transmeton Telegrafi.
E pyetur nëse mosha e gruas kishte luajtur rol në aksident, Mirjam Lang, zëdhënëse e Policisë Kantonale të Schwyzit, tha se gruaja kishte patentë shoferi.
Në Zvicër, personat mbi moshën 75-vjeçare duhet t’u nënshtrohen në përgjithësi kontrolleve të rregullta mjekësore për të vlerësuar aftësinë e tyre për të drejtuar automjete. Këto kontrolle duhet të përsëriten çdo dy vjet.
Sipas zëdhënëses së policisë, raste kur shoferët ngatërrojnë pedalin e gazit me atë të frenave ndodhin herë pas here. Megjithatë, shumicën e rasteve ato nuk përfundojnë me pasoja serioze dhe shkaktojnë vetëm dëme materiale ose përplasje me ndonjë shtyllë.
“Një aksident si ai që sapo ndodhi është mjaft i rrallë”, tha Lang.
Shuma e dëmit material të shkaktuar nga aksidenti ende nuk dihet./Telegrafi/